Sharon Stone nuk lejon të cenzurohet. Aktorja, e cila së fundmi i është përkushtuar pikturës, ka publikuar këtë javë një seri videosh në Instagram ku mbron plakjen dhe nuditetin, pas një incidenti gjatë xhirimeve në studion e saj në Los Anxhelos. Ajo tregoi se një ekip filmik i kërkoi të hiqte nga kuadri një pikturë me akt femëror.
“A duhet të tmerrohemi kur shohim veten në pasqyrë?”, pyeti aktorja 67-vjeçare në video. “Pse duhet të kemi frikë nga ajo që jemi si qenie njerëzore? Mua kjo më duket ideja më e çuditshme në botë. Unë jetoj në këtë trup çdo ditë. Në të zgjohem dhe në të fle. Ky është apartamenti im. Unë jetoj këtu”, u shpreh ajo.
Në përshkrimin e postimit, Stone shtroi pyetjen: “Pse në vitin 2026 ende kemi frikë nga plakja dhe nga të jetuarit në lëkurën tonë?” Ajo shtoi se njerëzit janë shumë më tepër sesa pamja e jashtme, duke theksuar se janë artiste, nëna, motra, bashkëshorte, infermiere, mësuese dhe shumë më tepër.
Piktura që nxiti debat, të cilën ajo e quan “Perëndesha”, paraqet një figurë femërore nudo. Duke komentuar standardet e dyfishta në shoqëri, aktorja tha: “Kemi frikë nga nuditeti në ekranet tona, në trupat tanë, në shtëpitë tona… por jo nga dhuna apo gjërat e tjera me të cilat bombardohemi çdo ditë? Bëhuni realistë!”
Në një video të publikuar javën e kaluar, ajo qëndronte para të njëjtit portret dhe ftoi publikun të festojë trupin e femrës. “Ne jemi perëndesha të krijimit… krijojmë shtëpi, familje, jetë për të gjithë. Pse duhet të kemi frikë nga kjo? Kjo është ajo që ju ka krijuar”, tha ajo, ndërsa mbështetje mori edhe nga mikeshat e saj të njohura si Courtney Love dhe Debi Mazar.
Kjo nuk është hera e parë që fituesja e çmimit Oscar flet për frikën shoqërore ndaj plakjes. Në një intervistë për Sunday Times në mars 2025, ajo bëri shaka duke thënë se “tani i janë rrudhur sqetullat”, por e quajti këtë ndryshim një shenjë nderi. “Mendoj: dikur kisha krahë të bukur, tani janë të fortë, pikturojnë dhe duken si krahë engjëlli. Po çfarë nëse kanë rrudha? Ndoshta tani janë edhe më të bukur”, u shpreh ajo. Ndërsa në janar 2024, për të njëjtën gazetë, i quajti “budallenj dhe mosmirënjohës” ata që turpërohen nga plakja, duke shtuar se ndihet me fat që është gjallë dhe e shëndetshme.
Stone iu përkushtua artit pamor gjatë pandemisë dhe që atëherë ka mbajtur ekspozita personale në Connecticut, Los Anxhelos, San Francisko dhe Berlin. Seria e saj më e re e portreteve trajton temat e humbjes dhe çlirimit. Në të njëjtën kohë, nëna e tre fëmijëve do të rikthehet edhe në ekranin televiziv me një rol në sezonin e tretë të serialit Euphoria, premiera e të cilit është paralajmëruar për 12 prill në HBO. /Telegrafi/