Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka reaguar lidhur me rënien e njësisë B2 në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke theksuar se kjo ka sjellë largimin e mbi 250 MWh energji elektrike nga sistemi pa asnjë paralajmërim.
Në një reagim publik, Shala ka vlerësuar se rënia e njësisë nuk është një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit joefikas dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
“Sot, më 18 Janar 2026, ka rënë njësia B2 në KEK dhe mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim. Kjo nuk është më një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale”, ka shkruar Shala.
Sipas tij, rëniet e paplanifikuara të njësive energjetike krijojnë krizë në treg, rrisin çmimet dhe u japin hapësirë tregtarëve të diktojnë kushtet, ndërsa pasojat i bartin qytetarët.
“Institucionet heshtin, investimet nuk japin rezultat dhe siguria energjetike po dobësohet”, ka theksuar Shala, duke paralajmëruar se pa reforma serioze dhe llogaridhënie, krizat energjetike do të vazhdojnë.
Ai shton se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët do të rriten pashmangshëm.