“Kërcënimi i Kërshëndellave” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë një moment vendimtar për Kosovën dhe një nga dokumentet më të forta të politikës amerikane ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit, ka thënë shkrimtari dhe aktivisti Blerim Shala.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka kujtuar se gjatë viteve 1991–1992 kishte kontakte intensive dhe të drejtpërdrejta të përfaqësuesve politikë shqiptarë me diplomacinë amerikane, përfshirë Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Kongresin amerikan.
Sipas tij, në vjeshtën e vitit 1992, pala amerikane i kishte informuar se po përgatitej një vendim i jashtëzakonshëm për Kosovën, i cili do të materializohej në atë që u quajt më vonë “Kërcënimi i Kërshëndellave” – një kërcënim unilateral i SHBA-së ndaj Serbisë, pa u thirrur në NATO apo në ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar.
Shala theksoi se ky kërcënim nuk erdhi “nga qielli”, por ishte rezultat i analizave strategjike të institucioneve më të larta amerikane, si dhe i zhvillimeve të reja politike në Serbi, ku paraqitja e Milan Paniqit krijoi rrezik real për humbjen e pushtetit nga Millosheviqi.
Ai ka thënë se kishte presion të madh nga senatorë amerikanë që shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet e dhjetorit 1992 në Serbi, me arsyetimin se demokratizimi i Serbisë do të sillte rrethana më të favorshme për Kosovën. Megjithatë, sipas Shalës, pjesëmarrja në zgjedhje ishte jashtëzakonisht problematike dhe u refuzua.
Në këtë kontekst, ai theksoi se në vitin 1992 nuk kishte asnjë shenjë që shqiptarët e Kosovës po përgatiteshin për luftë, përkundrazi, shenjat tregonin se Millosheviqi mund ta niste një konflikt në Kosovë për të shmangur humbjen e pushtetit.
“Kërcënimi i Kërshëndellave” u cilësua nga Shala si brutal, sepse për herë të parë SHBA-ja paralajmëroi drejtpërdrejt se do të ndërhynte ushtarakisht nëse Serbia do të ishte përgjegjëse për shpërthimin e luftës në Kosovë. Sipas tij, ky mesazh e tronditi Millosheviqin dhe shërbeu si faktor frenues.
Ai shtoi se ky kërcënim u la si amanet nga presidenti George H. W. Bush dhe u rikonfirmua më pas nga administrata e Bill Clintonit, duke mbetur një dokument bazë i politikës amerikane ndaj Kosovës deri në fund të viteve ’90.