Manchester United ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafir me rezultat 1-0 ndaj Everton në javën e 27-të të Ligës Premier, duke u ngjitur në vendin e katërt.
Takimi nisi me ritëm të lartë dhe që në minutën e 4-t, Amad Diallo rrezikoi seriozisht, por portieri Jordan Pickford reagoi në mënyrë fantastike për të mbajtur portën e paprekur.
United vazhdoi presionin dhe në minutën e 32-të, Diogo Dalot ishte pranë golit pas një topi të kthyer, por goditja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht dominimit të mysafirëve.
Në minutën e 58-të, trajneri i Man United hodhi në fushë Benjamin Sesko, lëvizje që rezultoi vendimtare.
Në minutën e 71-të, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Bryan Mbeumo, ky i fundit asistoi për Sesko, i cili mposhti Pickfordin me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë për 1-0..
Evertoni reagoi dhe Michael Keane provoi nga distanca në minutën e 83-të, por portieri Senne Lammens bëri një pritje të shkëlqyer për të ruajtur epërsinë.
Pavarësisht presionit të vendasve, Manchester United arriti ta menaxhojë epërsinë minimale dhe të marrë tri pikë të arta në garën për zonën e Ligës së Kampionëve.
Me këtë fitore, Man United konfirmon formën e mirë dhe mban pozitën e katërt në tabelë me 48 pikë. /Telegrafi/