Në episodin e 64-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, kirurgu kardiovaskular Raif Çavolli diskutoi për sëmundjet e zemrës, shenjat paralajmëruese të infarktit dhe zhvillimet moderne në kirurgjinë kardiovaskulare.
Gjatë bisedës u theksua se sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë, jo vetëm në rajon, por në mbarë botën.
Sipas Çavollit, sensibilizimi dhe diagnostikimi i hershëm janë faktorë kyç për parandalimin e pasojave fatale.
Një pjesë e rëndësishme e episodit iu kushtua simptomave të infarktit.
Çavolli shpjegoi se dhimbja tipike e zemrës shpesh manifestohet si ndjesi shtypëse në gjoks, që mund të përhapet në krahun e majtë, qafë apo nofull, e shoqëruar me djersitje të ftohtë, marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje.
Ai theksoi se çdo dhimbje e dyshimtë në gjoks nuk duhet injoruar dhe se reagimi i shpejtë mund të shpëtojë jetë.
Sipas specialistit, faktorë si stresi kronik, duhani, dieta e pashëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe diabeti po ndikojnë që sëmundjet e zemrës të mos jenë më problem vetëm i moshave të shtyra.
Ai nënvizoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe menaxhimit të faktorëve të rrezikut si tensioni i lartë dhe kolesteroli.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”.
– YouTube www.youtube.com