Me rastin e shënimit të 16-vjetorit të ekzistencës, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” hap një epokë të re në trajtimin kirurgjik të pacientëve. Me zbatimin e sistemit më modern robotik Toumai™, “Acibadem Sistina” së shpejti do të fillojë me aplikimin e kirurgjisë robotike, duke u bërë kështu Qendra e parë dhe e vetme për kirurgji robotike në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, që do të mundësojë këtë lloj ndërhyrjesh kirurgjikale. Ky hap i rëndësishëm paraqet një mundësi të re për pacientët, duke u ofruar atyre kirurgji precize, minimalisht invazive, me shumë përfitime në trajtimin e përgjithshëm.
Toumai™ është një robot kirurgjik endoskopik, i zhvilluar nga lideri global i teknologjisë, kompania Shanghai MicroPort MedBot, i cili mundëson saktësi të lartë, stabilitet dhe siguri gjatë kryerjes së ndërhyrjeve kirurgjikale. Kirurgjia robotike në “Acibadem Sistina” do të aplikohet në disa fusha të mjekësisë, duke përfshirë kirurgjinë digjestive, torakale, urologjinë, gjinekologjinë dhe kirurgjinë pediatrike. Aktualisht po zhvillohet edukimi i vazhdueshëm dhe trajnimi i një numri të madh kirurgësh nga spitali për përdorimin e teknologjisë robotike.
“Falë vizualizimit tredimensional HD, saktësisë së lartë dhe fleksibilitetit të instrumenteve, të cilat i tejkalojnë aftësitë e dorës së njeriut, teknologjia robotike mundëson diseksion preciz dhe ruajtjen e strukturave vitale. Implementimi i kirurgjisë robotike paraqet një përparim të rëndësishëm si për pacientët, ashtu edhe për ekipin kirurgjik. Për pacientët, kjo nënkupton operacione më të sigurta, më pak dhimbje dhe kthim më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, ndërsa për mjekët kjo teknologji mundëson saktësi të lartë, kontroll më të mirë dhe kryerjen e operacioneve të komplikuara me rrezik minimal”, tha Prof. Dr. Sotir Stavridis, urolog.
Me implementimin e robotit kirurgjik, spitali do të mundësojë kirurgjinë minimalisht invazive edhe për pacientët pediatrikë, duke përfshirë edhe foshnjat. Këto ndërhyrje do t’i kryejë ekipi i kirurgëve pediatrikë, në krye me Doc. Dr. Risto Simeonov, kirurg pediatrik, i cili thekson se kjo për të paraqet një sfidë të madhe dhe një nder të veçantë, pasi “Acibadem Sistina” do të mundësojë kirurgji të avancuar edhe për pacientët më të vegjël.
SAKTËSI E LARTË DHE TEKNOLOGJI E AVANCUAR
Sistemi Toumai™ është i pajisur me videoskop 3D me rezolucion të lartë, i cili mundëson një pamje të qartë dhe natyrale tredimensionale, me pamje panoramike 100°. Kjo pamje mund të zmadhohet deri në 70 herë, duke u mundësuar kirurgëve një pasqyrë të detajuar dhe realiste të enëve më të vogla të gjakut, strukturave dhe nervave. Sistemi optik i robotit përdor gjithashtu teknologjinë infra të kuqe, e cila mundëson identifikimin preciz të qelizave tumorale gjatë operacioneve. Instrumentet robotike lëvizin në të gjitha boshtet dhe rrafshet e hapësirës, duke imituar lëvizjet e dorës së njeriut, por me saktësi mikroskopike. Për më tepër, sistemi mundëson eliminimin e tremorit natyror të dorës dhe ofron ergonomi të përmirësuar për kirurgun, gjë që kontribuon në stabilitet më të madh, lodhje të reduktuar gjatë ndërhyrjeve të gjata dhe një nivel më të lartë sigurie gjatë kryerjes së operacioneve komplekse.
Me implementimin e sistemit robotik Toumai™, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” përforcon më tej pozitën e tij si lider në zbatimin e teknologjive më të avancuara në rajon, duke u siguruar pacientëve kujdes shëndetësor cilësor sipas standardeve më të larta botërore.