Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësimin e thellë për sulmin fizik ndaj një mësimdhënësi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, si dhe për rastet e përsëritura të ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënësit dhe, në disa raste, nga prindërit.
SBASHK thekson se këto incidente nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, pasi dhuna dhe mosrespektimi ndaj mësimdhënësve cenojnë rëndë dinjitetin e profesionit dhe sigurinë e procesit edukativo-arsimor.
Si mbështetje për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete nga institucionet përkatëse, SBASHK përkrahu grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, që do të zhvillohet më 10 shkurt 2026.
Në reagimin e saj, SBASHK kërkon: Hetim të shpejtë dhe të drejtë të rastit nga organet e sigurisë, daljen në dritë të fakteve të vërteta dhe marrjen e masave ndaj nxënësve ose personave përgjegjës si dhe përgjegjësi institucionale nga menaxhmenti i shkollës dhe Drejtoria e Arsimit, duke zbatuar rregulloret disiplinore për parandalimin e incidenteve të ngjashme.
SBASHK paralajmëron se, në mungesë të reagimit të menjëhershëm, mund të shqyrtojë ndërprerjen e mësimit edhe në shkollat e tjera të Prishtinës për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm për mësimdhënësit dhe nxënësit./Telegrafi/