Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbajti sot një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i cili u pasua me duartrokitje nga të pranishmit në sallë.
Ai deklaroi se presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon “seriozitet dhe reciprocitet nga miqtë tanë në Evropë”.
Kryediplomati amerikan theksoi se, edhe kur lindin mosmarrëveshje, ato burojnë nga një shqetësim i thellë për Evropën, jo vetëm nga perspektiva ekonomike apo ushtarake.
“Ne jemi të lidhur shpirtërisht dhe kulturalisht. Dëshirojmë që Evropa të jetë e fortë. Besojmë se Evropa duhet të mbijetojë… fati ynë gjithmonë do të jetë i lidhur me tuajin”, shtoi ai.
I pranishëm në fjalimin e sekretarit amerikan të shtetit, ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Të pranishëm ishin edhe liderë tjerë të rajonit dhe të vendeve evropiane.
Përveç sekretarit amerikan Marco Rubio, fjalim mbajtën edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyn.
Ndryshe, udhëheqësit botërorë u mblodhën në Mynih. Në agjendën e konferencës janë lufta në Ukrainë, tensionet me Kinën dhe një marrëveshje e mundshme bërthamore midis Iranit dhe SHBA-së. /Telegrafi/