Numri i punëtorëve të huaj në Qarkun e Lezhës është në rritje të vazhdueshme, ndërsa prania e tyre vërehet pothuajse në çdo sektor të ekonomisë.
Gjatë muajve janar–shkurt të këtij viti janë regjistruar dy herë më shumë aplikime për punësim krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Punëtor të huaj kemi nisur të rekrutojmë rreth vitin 2024 pasi kishim nevojë për punëtor dhe tregu i Lezhës nuk na i ofronte këtë mundësi. Përveç pagës ne i ofrojmë akomodimin dhe një dietë mujore për të mbuluar shpenzimet e tyre”, u shpreh Nedi Metani, Menaxher në sipërmarrje prodhimi.
Numrin më të lartë të punëtorëve të huaj e zënë shtetasit nga Filipinet. Ata shprehen të kënaqur me pagat dhe kushtet e punës në Shqipëri, duke theksuar se të ardhurat janë ndjeshëm më të larta se në vendin e origjinës.
“Unë jam Diana De Gracia nga Filipinet. Jetoj këtu prej një viti e gjysmë. Disa miq në Shqipëri na thanë se kushtet janë shumë të mira dhe kjo po rezulton e vërtetë. Në Filipine paguhesha 50–100 euro në muaj, ndërsa këtu marr rreth 500 euro”, u shpreh një punëtore.
“Kemi bërë kërkime para se të vinim në Shqipëri. Na sugjeruan të vijmë këtu sepse është punë e mirë dhe drejtuesit janë pozitivë. Jemi ambientuar dhe jemi shumë të kënaqur me pagesat dhe kushtet e punës. Të ardhurat që sigurojmë këtu janë shumë herë më të larta se në vendin tonë dhe kjo është një garanci për të ardhmen e familjes”, tha një punëtor tjetër.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Punësimit në Qarkun e Lezhës, gjatë vitit 2026 janë miratuar 150 aplikime për punësimin e shtetasve të huaj. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin miratuar 68 aplikime. Në total, gjatë vitit të shkuar u dhanë 872 leje për punësim të shtetasve të huaj./RTSH/
– YouTube youtu.be