Flora Brovina, humaniste, poete dhe deputete në Parlamentin e Kosovës, flet për fëmijërinë e saj, për ditën kur ishte burgosur babai i saj, për kujdesin e nënës dhe të gjyshes, për varrimin në rrethana të jashtëzakonshme të stërgjyshes së saj, për axhën e burgosur, për dajallarët e arratisur në Shqipëri, për fustanin dhe kordelet në ditën e parë të shkollës, për netët pa gjumë, për ëndrrat e tronditura …
Intervistoi: Agim Zogaj / Javorja Politike Shqiptare “Zëri” (intervistë e botuar në vitin 2001, në rubrikën “Private”, në dy vazhdime)
Cilat janë arsyet që pranuat të jeni mysafire e kësaj rubrike?
NGA DRENICA NË PRISHTINË
Rubrikat e revistës suaj dhe në përgjithësi zhanri gazetaresk që mëton të paraqes para lexuesit një pjesë tjetërfare të jetës së personaliteteve publike, qoftë intelektuale, politike apo edhe kulturore, është mjaft atraktive. Dhe, mund të them haptas se shpesh kam dëshirë të lexoj për jetën e personaliteteve të caktuara. Kjo ishte arsyeja e parë dhe kryesorja, andaj konsideroj po ashtu se edhe rrëfimi im jetësor do të jetë tërheqës për lexuesit tuaj. Unë kam besim në rubrikën tuaj, andaj bindshëm dhe realisht do ta pasqyroj jetën time, atë që nuk e ka njohur deri tash opinioni i gjerë.
Zakonisht, në bashkëbisedimet e tilla, fillimisht orientohemi te fëmijëria e bashkëbiseduesit …
Kuptimi im për fëmijërinë është se ajo, për njeriun, pavarësisht nga mosha, paraqet frymëzim dhe përjetim të rëndësishëm në jetë. Madje, për mua fëmijëria është inspirim i madh jetësor, i kuptimit të filozofisë së jetës, por edhe diçka që ka lënë gjurmë të thella në jetën time, në krijimin e personalitetit tim dhe që ka luajtur rol të caktuar në formësimin e idealeve të mia. Në këtë kuptim, fëmijëria ime është shumë interesante, shumë dinamike, shumë asociative dhe me përplot zhvillime, edhe dramatike, që gjithsesi kanë lënë gjurmë të thella në jetën time, në shpirtin tim. Përmes asaj fëmijërie, unë kam mësuar se si duhet kuptuar jetën, njeriun, realitetet e hidhura dhe të mira, edhe stuhitë e jetës prej të cilave fëmijëria ime nuk ishte e privuar. Gjatë kësaj bisede po ndjej në shpirt një kthim në një histori edhe jo aq të largët, por gjithsesi të përzier më të mirat dhe të këqijat e veta, me ëndrrat e bukura, por edhe me shqetësimet dhe ndjenjat e rënda fëmijërore të cilat i kam përjetuar vetë. Një herë në bisedë për “ZËRI”, por edhe herëve tjera, kam thënë se jam një çikë drenicake, sepse kam lindur në Skënderaj, në kohën kur prindërit e mi ishin të zënë me punë. Kur familja e jonë, Brovina, u shpërngul nga Skënderaj, unë i kisha vetëm tre muaj, kështu që fëmijëria ime lidhet me Prishtinën …
Ku dhe si jetonit?
FËMIJËRIA E KËPUTUR DHE ËNDRRAT E NDALUARA
Shtëpia ku ne jetonim si qiraxhinj ishte në qendër të qytetit, në rrugën e cila tash mban emrin e TMK-së. Disa metra më larg asaj shtëpie, e cila është rrënuar pasi unë kam dalë nga burgu, ishte një lagje që quhej Kaçamak. Në atë lagje pastaj arritëm të ndërtojmë shtëpinë, ku edhe tash jetojnë të afërmit e mi. E mbaj mend Prishtinën me ato rrugët e vjetra me kalldrëm dhe me dyqane të vjetra të zanateve të ndryshme. Mund të them se ishte ajo një arkitekturë shumë interesante, vërtet orientale dhe me shumë art e bukuri. Mbaj mend se në qytet ka pasur shumë gurra me ujë të pijshëm dhe ne fëmijët gëzoheshim kur freskoheshim me atë ujë. Por, kujtoj fare mirë edhe pajtonet, pra qerret e moçme karakteristike, të cilat i tërhiqte kali. Edhe atëherë pajtonet paguheshin nëse dëshiroje të shkoje nga një vend në tjetrin në qytet. Por, vërtet ishte bukur, diçka si në ëndërr. Ne, fëmijët e lagjes, e veçmas unë, nuk kemi lëvizur shumë nëpër rrugë sepse duhej të kishim kujdes nga pajtonet. Sidomos unë kam qenë nga pak nga natyra më sensibël dhe kisha frikë nga rruga. Prandaj, kohën e lirë më së shumti e kaloja duke shikuar nga dritarja. Pra, deri në moshën 5-6 vjeçe nuk kam lëvizur shumë, por kryesisht isha e përqendruar në shikimet nga dritarja. E di se prindërit e mi kanë pasur një jetë të lumtur dhe përgjithësisht në familje, pra në kohën kur ende nuk shkoja në shkollë, kishim një harmoni dhe qetësi familjare. Unë jam rritur me përrallat e prindërve dhe sidomos të gjyshes.
Mirëpo, kjo idilë e fëmijërisë suaj me ëndrra dhe përralla nuk vazhdoi gjatë … Çfarë ndodhi pastaj?
Po, fatkeqësisht, fëmijëria ime këputet, sepse një ditë, pikërisht në ditëlindjen time të pestë, burgoset babai im, Xhaviti. Ndërkohë, kishin kaluar disa muaj që axha im, Qamil Brovina, bashkëluftëtar i Shaban Haxhisë, nga Shqipëria, gjendej në burgun e Goli Otokut. Në ditën e burgosjes së babait tim unë po qëndroja, si zakonisht, pranë dritares, duke pritur të kthehej në shtëpi. Por, papritmas, në shtëpinë ku ishim me qira u futën policët e armatosur. Kurrë nuk mund t’i shlyej nga kujtesa pamjet e rënda të asaj dite, ata policë me çizme dhe me rroba ngjyre të errët. Po, mund të pranoj se isha e tmerruar nga ato pamje, nga ato skena dhe, gjithsesi, kjo është një nga përjetimet e mia më të rënda të jetës sime. Ata kërkonin revolen e babait, demolonin çdo gjë para veti, shanin, kërcënonin, kurse ne, fëmijët, qëndronim të strukur pranë gjyshes sonë, si të vetmen mburojë që e kishim në ato çaste. Gjyshja, si përherë, qëndroi stoike. Aty ishte edhe stërgjyshja jonë dhe nëna që kishte vetëm 23 vjet. Motra më e vogël ishte tremuajshe. Policët, ashtu të tërbuar, pastaj u larguan, ndërsa ne kuptuam se babai ishte arrestuar për shkaqe politike. Jeta e familjes sonë ndryshoi brenda natës. Ne edhe ashtu ishim familje e shënjuar si “armiq të shtetit”, por tash me arrestimin edhe të babait, filloi një jetë tepër e rëndë për ne. Ngadalë, jeta e jonë po kthehej në një izolim të madh, sepse shumë të afërm iu largoheshin kontakteve me familjen tonë. Të them të drejtën, edhe pse e vogël dhe me moshë të një vogëlusheje, unë e ndjeja tërë atë atmosferë dhe edhe pse përpiqesha që të mos e shqetësoj nënën, gjyshen dhe stërgjyshen, megjithatë mund të vërehej se isha e thyer në shpirt.
Ju më vonë u regjistruat në klasën e parë, me përjetimet dhe ndjenjat e një fëmije që babë e axhë i ka në burgjet serbe?
STËRGJYSHEN NUK KISHTE KUSH TA VARROSTE
Ishte kohë e rëndë, ishte kohë e keqe dhe, pos vetmisë së madhe shpirtërore, ne na kishte pllakosur edhe mjerimi social dhe ekonomik. Personi që më së shumti ka bërë që ne të mbijetojmë atë kohë dhe ato vite me plot mynxyrë, ishte gjyshja e jonë. Ndërkohë, nëna ime mësoi nga gjyshja të qepë dhe kështu filloi të siguronte kafshatën e bukës për familjen tonë. Nga rrobat, fustanet e motrave tjera, nëna na qepte edhe neve më të voglave fustane të reja, kështu që kurrë nuk mund të diktohej në shkollë se unë nuk kam fustane të mira dhe të reja. Shpesh, edhe shoqet e klasës më pyesnin se ku e kam marrë ose kush ma ka qep fustanin tim. Ndonëse e vogël, pra në klasën e parë, unë vëreja atmosferën e rënduar në familjen time. Dhe, ajo që më së shumti më bënte përshtypje, ishte se nuk kishte më buzëqeshje të familjarëve, nuk kisha më kë të prisja as pranë dritares … Ndërkohë, stërgjyshja jonë nisi të bëhej senile dhe nga ajo sëmundje kishte filluar që në pikë të ditës, ose edhe të natës, t’i kërkonte djemtë. Por, dy djemtë e saj, pra të stërgjyshes (nëna e nënës), për shkaqe politike ishin të arratisur në Shqipëri. Njëri nga ata quhej Qazim Vula, i cili akuzohej se kishte marrë pjesë në atentatin kundër Miladin Popoviqit. Pra, mund të imagjinoni se çfarë gjendje e rëndë ishte për gjyshen dhe stërgjyshen tonë. Të dyja i kërkonin të bijtë e ndjekur e të burgosur politikisht …
Stërgjyshja vdiq nga malli për djemtë e saj …
Një ditë, gjithsesi e rënduar nga mërzia, malli për djemtë, por edhe situata në momente pa shpresë, ajo ndërroi jetë. Dhe, për të qenë ironia më e madhe, stërgjyshen nuk kishte kush ta varroste, sepse të gjithë në shtëpinë tonë ishim femra. Në shtëpi, pra, ishim pa mashkull, kurse askush nga të afërmit nuk kishte guxim që të na dilte në ndihmë. Gjyshja e jonë ishte e detyruar që ta merrte stërgjyshen, ta dërgonte në xhaminë më të afërt të qytetit për t’ia bërë ceremonitë fetare. Kur ka shkuar në xhami, punëtorët e xhamisë kanë parë se aty tek e vdekura po qëndronte vetëm një grua e moshuar. Xhematit i ishte dukur diçka shumë e pazakontë kjo, por kur kuptojnë se e vdekura ishte nëna e Qazim Vulës dhe e Abdullah Vulës dhe pranë saj nëna e Qamil e Xhavit Brovinës, i ishin bashkangjitur gjyshes dhe e kishin dërguar në varreza trupin e pajetë të stërgjyshes sonë.
Në disa intervista, madje edhe në media ndërkombëtare, keni deklaruar se ideal jete e keni gjyshen tuaj …?
PSE MË NDALUAN TË SHKOJA NË DITËLINDJEN E TITOS
Po, kam thënë dhe po e përsëris se ideali dhe modeli im për nga karakteri jetësor është gjyshja ime. Ajo më ka mësuar, thënë figurativisht, ecjen vertikale në jetë. Prej saj kam mësuar se në jetë duhet qëndruar ballëhapur para të gjitha sfidave, se duhet të jesh krenare – pavarësisht nga situatat, të dukesh mirë dhe të besosh në forcat tua. Kjo, thoshte ajo, për shkak të mikut dhe për shkak edhe të armikut. Gjyshja më thoshte se ne kemi miq, por edhe armiq. Por, që në fëmijërinë time të hershme kisha kuptuar se kishim pak, tepër pak miq. Mësimi i saj ishte po ashtu se njeriu nuk duhet të përkulet para sfidave, para vështirësive, pavarësisht se çfarë ishin ato.
Nga kjo kohë, po ashtu, kujtoj blerjen e çantës së parë shkollore, të Abetares, pastaj mësuesen time të parë, Vehbie Gjinali etj. Por, e mbaj mend edhe fustanin me të cilin shkova në ditën dhe orën e parë të mësimit. Fustanin ma kishte qepur nëna ime, duke e riqepur nga fustani i saj. Dhe, askush në klasë nuk e dinte se ai fustan kishte qenë fustani i nënës sime. Nëna më kishte ndrequr disa kordele dhe unë dukesha si një vajzë nga përrallat, e në fakt dihej se babanë dhe axhën i kisha në burg dhe se ishim në mjerim të madh social.
A e adhuroje edhe atëherë poezinë dhe leximin?
Është e mundshme që situata e përgjithshme familjare, pra e rritur larg nga babai, në një izolim të madh të shoqërisë dhe të rrethit, të ketë qenë një nga faktorët që kanë ndikuar në nxitjen e ndjenjës meditive tek unë. Por, po ashtu, jam shumë e bindur se edhe vjershat që na i lexonte nëna, kanë lënë ndikim të madh në perceptimet e mia. Ndaj, mund të them se nëna ime ishte ajo që fillimisht më ka ushqyer me dashurinë ndaj vargut të poezisë. Po ashtu, ndikim të madh në formësimin tim në këtë fushë kishte pasur edhe arsimtarja e ime e gjuhës, Liri Tanefi, nga Elbasani. Nga vitet e shkollimit fillor do të veçoj edhe faktin se unë isha një recitatore shumë e talentuar. Por, kur kishte manifestime më të veçanta, atëherë pushteti, regjimi i atëhershëm serbo-jugosllav, e ndalonte paraqitjen time në skenë. Një ditë mësuesja më kishte lajmëruar se isha ndër ato recitatoret dhe nxënëset e shkëlqyera që mund të shkoja në ditëlindjen e Titos. Pas një ose dy ditëve erdhi përgjigjja negative se unë nuk bën dhe nuk mund të shkoja atje sepse isha nga një familja armike e shtetit. E shihni, pra, unë që nga fëmijëria ime isha në vellon e anatemimit politik të regjimit. Por, ku ta dija atëherë se edhe unë do të vuaj në burgjet serbe, sikur babai dhe axha, sikur daja im – Qazim Vula.
Pra, në një kuptim, që nga ato vite filloi anatemimi i juaj politik?
MË PËLQENTE POEZIA DHE MATEMATIKA
Po, sepse jo vetëm në shkollë, por edhe në lagje e në shoqëri fëmijësh më shikonin më ndryshe dhe kjo më linte përshtypje ngase e ndjeja se jam diçka ndryshe, tjetërfare nga rrethi im, nga moshatarët e mi, nga shokët dhe shoqet e shkollës. Ato ndjenja kishin ndikim në emocionet e mia dhe lumturia ime si fëmijë ishte krejtësisht e kontrolluar dhe e kufizuar nga moshatarët e mi. Nuk ishte gjë që nuk hetohej për shoqërinë e atëhershme të kishe babanë dhe axhën në burgjet serbe. Unë jam shumë e bindur se edhe mësueses sime i vinte keq për këtë dhe aspak nuk ndjehej e qetë. Por, e tillë ishte jeta.
Unë, megjithatë, vazhdoja aktivitetin në grupin letrar. Në grupin tonë letrar ishin Agim Deva, Nexhat Halimi, Gani Dili dhe shokë të tjerë nga shkolla “Elena Gjika” që më vonë u bën poetë të njohur. Unë, madje, me angazhimin tim si poete u bëra kryetare e grupit letrar dhe e udhëhoqa atë për dy vjet me radhë. Në ato vite ne, edhe pse ishim në fillore, bashkëpunonim nëpërmes grupit letrar me grupet simotra të shkollave të mesme.
Shkolla “Elena Gjika”, atëherë “Vuk Karaxhiq”, ishte shkollë me renome. Nga lëndët që kisha më së shumti prirje dhe talent atëherë, ishte matematika. Për këtë duhet të përmendi kontributin dhe angazhimin e madh të arsimtares së matematikës, Fahrie Shita.
Ndonëse me një shpirt poetik, ju megjithatë në shkollën e mesme u drejtuat në shkencat ekzakte …?
Po, unë isha me prirje poetike, por njëherësh kisha afinitet të madh për shkencat ekzakte. Matematika ishte lënda ime më e dashur dhe atë falë arsimtares sime të matematikës, zonjës Shita. Por, isha e shkëlqyeshme edhe në lëndët tjera.
Njëherazi kisha vazhduar ta kultivoj poezinë dhe leximin, kështu që edhe në shkollën e mesme isha shumë aktive në grupin letrar të shkollës dhe në aktivitetet tjera letrare jashtë orëve të mësimit. Shkrimet e para i kam botuar në rubrikën për fëmijë të gazetës “Rilindja”, ku redaktor ishin Rexhep Hoxha e Vehbi Kikaj. Kam marrë pjesë edhe në emisionet për fëmijë në Radio Prishtinë, ku redaktor ishte Rrahman Dedaj.
E veçanta e kësaj periudhe ishte se kisha kondicion të shkëlqyeshëm fizik, andaj bëja gara në atletikë. Isha e para në garat e shkollave të mesme të kryeqytetit, madje i kaloja edhe meshkujt.
ISHA KUNDËR DALLIMEVE SOCIALE
Në këtë kohë, pra në vitet e shkollimit të mesëm, ka pasur dallime të mëdha midis fshatarëve dhe qytetarëve, vendasve dhe ardhacakëve. Më duhet të them se unë e ndjeja këtë dukuri dhe gjithnjë isha kundër ndasive mbi bazat sociale. Prandaj, u dilja gjithmonë në ndihmë shoqeve dhe shokëve nga fshati. Unë e dija se ata që ishin nga Llapi, Drenica etj. jetonin në kushte jo të mira ekonomike. Ata visheshin me rroba të vjetra, por të pastra. Kjo më shtynte që të shëtisja me ta në qytet, të rrija pranë tyre, gjithnjë duke synuar t’ju ofroja buzëqeshje dhe lumturi. Shpirti im, po ashtu i një vajze të përvuajtur nga historia e rëndë politike e babait dhe e axhës, më jepte kurajo që të qëndroja pranë tyre në të mirë dhe në situata të vështira. Thjeshtë, doja t’i përkrahja, sepse ata sakrifikonin shumë për shkollën. Ata nuk kishin kushte të mira të mësimit dhe të jetës, të banimit, të ushqimit e veshmbathjes si ne të qytetit.
Që në këto vite, edhe ne kishim nisur të mendojmë politikisht. Më kujtohet kur dikush nga shokët e klasës e pyeti profesorin se pse rryma nga Kosova transportohet në Serbi, në Hekuranën e Shkupit dhe në viset tjera të ish-Jugosllavisë. Profesori nuk dha përgjigje …
Në vitin 1966, ra nga pushteti i Aleksandar Rankoviqi…
Akti i rënisë së Rankoviqit e gëzoi mbarë Kosovën sepse ai njihej për veprimet antishqiptare, së bashku me rrjetin e tij policor, por edhe me politikën serbo-jugosllave. U gëzuam edhe familja e jonë sepse pas rënies së tij u shpall një lloj amnistie, andaj babai e axha lirohen nga burgu i Goli Otokut, një nga burgjet më famëkeqe të
ish-Jugosllavisë. Por, në burgjet serbo-jugosllave ngelën edhe shumë shqiptarë tjerë dhe ato sërish vazhdonin të mbusheshin me shqiptarë të tjerë. Ndryshe, unë kujtoj me parafytyrime shumë rrëqethëse vizitën time babait në burgun e Prishtinës. Babanë e kam vizituar edhe në burgun e Pejës. I kujtoj pamjet kur të burgosurit rreshtoheshin në oborr dhe ne të familjes i shikonim së largu, duke mos pasur të drejtë që të afroheshim e të bisedonim, apo qoftë edhe t’ua shtrëngonim duart. Kujtoj çastin shumë prekës, kur motra ime Fëllënza, gjatë një vizite bërë babait në burg, e shpërtheu pengesën dhe vrapoi në përqafimin e babait. Polici menjëherë vrapoi, e ndau nga babai, kurse ajo e shau policin. E kujtoj edhe vizitën që unë e nëna i bëmë babait në burgun e Nishit dhe mund të them se kur unë isha në këtë burg, asgjë nuk ishte ndryshuar nga koha kur babai im ishte atje.
PASIONI PËR RROBAQEPËSI …
Axhën tim e kam takuar për herë të parë kur ai u lirua nga burgu dhe asnjëherë më parë, as në fotografi nuk e kisha parë. E kujtoj çastin kur ai erdhi. Dhoma ishte me shumë mysafirë dhe unë pyeta se cili është axha im. Pastaj u afrova dhe e përqafova. Më kishte lënë foshnje dhe tash më gjeti të rritur. Ndryshe, më thoshin se unë i përngjaja atij …
Babai edhe për shumë vite mbeti pa punë, ishte keq me shëndet, andaj gjyshja detyrohej të punonte. Ndërkohë, derisa unë isha brucoshe, ai regjistroi fakultetin juridik dhe e mbaroi. T’ju them të drejtën, edhe ne fëmijët u inspiruam nga studimet e babait dhe qëndresa e tij e jashtëzakonshme.
Ju regjistruat fillimisht stomatologjinë, e pastaj mjekësinë e përgjithshme?
Ju thashë se kisha afinitete të mëdha për shkencat ekzakte, madje edhe për mjeshtri dhe elektrotenikë, sepse këtë zanat ma kishte mësuar babai. Babai im dhe arsimtari i matematikës, Sami Domoni, më sugjeruan që të studioja elektroteknikun, ndërsa unë dëshiroja të regjistroja letërsinë, sepse më flinte në shpirt. Megjithatë, e regjistrova stomatologjinë në Beograd, por shumë shpejt u deprimova, sepse trajtimi ndaj meje si shqiptare nuk ishte i barabartë. Ndërkohë, konkurrova edhe në mjekësinë e përgjithshme. Meqenëse isha në grupin rezervë të studentëve në mjekësinë e përgjithshme, grup ky i cili u pranua, atëherë i fillova studimet e mjekësisë. Edhe gjatë studimeve, me shoqet e mia shqiptare, ndër të cilat ishte edhe Zana Shita, organizuam një orë letrare. Në këtë kohë, në Fakultetin e Teknologjisë në Beograd studionte edhe motra ime. Në vitin e dytë, për shkak të harxhimeve të mëdha, unë u ktheva dhe vazhdova studimet në Prishtinë. Në këtë kohë, babai ma bleu një biçikletë, për të cilën u gëzova shumë. Pra, këto vite jeta ime përshkohej nga libri, studimet, poezia dhe vozitja e biçikletës.
A kishit ndonjë hobi tjetër?
Po, në këto vite më lindi pasioni për rrobaqepësi dhe sigurisht se kjo vinte nga ndikimi i nënës sime e cila qepte shumë bukur. Gjyshja ime na këshillonte, pavarësisht nga shkollimi, që të merrnim një zanat, sepse jetës nuk i dihet. Gjyshja ime ishte shumë e hollë nga mendja. Në fakt, kjo ishte logjika e të moshuarve, të cilët kishin kaluar jetë të rënda, shpesh duke ngelur pa punë dhe pa asnjë ndihmë ekonomike. Andaj, edhe sot unë di të qep bukur dhe të thur xhemperë e veshje të tjera. Madje, mund të them se kur bëj ndonjë punë dore, ndjehem shumë mirë dhe e qetë edhe shpirtërisht.
Po ta bëje një paralele historike në mes të Flora Brovinës së atyre viteve dhe kësaj të tashmes, si do ta shpjegoje filozofinë jetësore?
ÇASTET E LUMTURA …
Për nga tiparet themelore të filozofisë së personalitetit dhe karakterit tim kujtoj se nuk ka dallime nga ato vite. Unë jam kryesisht ajo që isha edhe atëherë, me karakter të qëndresës ndaj vështirësive në jetë, me ambicie intelektuale dhe kombëtare, duke ditur se për çdo gjë në jetë nevojitet angazhim, sakrificë dhe vetëflijim. Ndryshe, nuk realizohen ëndrrat e jetës.
Ndoshta në poezi dhe letërsi jam munduar të jem më produktive, por duke pasur parasysh se jam marrë me shkencën e mjekësisë dhe pastaj me veprimtari humanitare e nacionale, megjithatë mjaft kam realizuar. Gjithashtu, kam realizuar familjen, që për mua është e shenjtë. Kam realizuar edhe këshillat e gjyshes që të ec vertikalisht, gjithnjë krenare. Edhe në vitet e burgut të babait dhe axhës, unë përpiqesha që para tjerëve të mos tregohesha e dobët, ta fshihja mërzinë. Pra, jeta ime nuk ishte pa brenga, pa sakrifica. Lumturinë e jetës nuk e kam kërkuar në imagjinatën e saj, në skemat dhe spekulimet filozofike ose edhe poetike, por në ballafaqimin me realitetin dhe në fuqinë që të dalë fituese.
A veçon ndonjë çast lumturie?
Nuk mendoj se mund të veçohet ekskluzivisht ndonjë çast lumturie, por, megjithatë, jam ndier shumë e lumtur kur mbaroi lufta. Po ashtu jam ndier e lumtur edhe kur jam bërë nënë në vitin 1977. Ndryshe, më tepër jam një idealiste se një pragmatiste dhe, megjithatë, mendoj se jetës së njeriut i duhet një lloj filozofie, një lloj idealizimi që të mban edhe kur je keq, edhe kur je e dëshpëruar, edhe kur mendon se po humb. Por, ndjehem e lumtur edhe për faktin se kur filluan bombardimet unë vendosa të ngel në Prishtinë, ndonëse mund të largohesha. Unë e ndjeja përkrahjen dhe sigurinë e atyre që i kisha përreth. Ndodhte që brenda natës të përpiqem t’ju ndihmoj më tepër se 100 vetave dhe ajo ishte sfidë që më jepte fuqi morale. Por, edhe kur më arrestuan dhe pastaj kur më burgosën e më dënuan, nuk brengosesha vetëm për jetën time, por për tërë popullin tim.
Flora Brovina: mjeke, humaniste, poete, kandidate për presidente të Kosovës …
SARMAT DHE TAVAT E MIA JANË TË SHIJSHME
Shpesh mendoj se vokacioni im më i madh dhe më i dashur është poezia dhe se jam lindur me shpirt poeteje. Humanizmi im buron edhe nga qenia ime shpirtërore, si dhe nga profesioni i mjekësisë. Sa i përket politikës, unë kam pranuar të jem kandidate për president të Kosovës sepse mendoja se edhe ashtu do të jem në shërbim të Kosovës. Prandaj, duke e respektuar propozimin e PDK-së, kam dashur që t’i nderoj vlerat e luftës së UÇK-së, sakrificën më sublime të popullit tim në rrugën e gjatë të lirisë. Vërtet, jam shumë e nderuar që kam qenë kandidate për postin e presidentit. Por, me atë kandidim, unë nuk kam synuar kurrfarë karriere politike!
Si ia arrini të përmbushni gjitha këto obligime ditore?
Së pari punoj shumë dhe me punën time si në shtëpi, pra familje dhe këtu në Qendrën e Fëmijëve dhe të Gruas jam shembull se si duhet punuar me korrektësi dhe pa u ndalur. Unë nuk kam kohë për ndejat e grave. Për punën time kam edhe përkrahjen e familjes. Kur kam kohë, e përgatis ushqimin, por ndodh që edhe bashkëshorti im, i cili është edhe shoku im i jetës, të përgatis ndonjëherë ushqimin. Unë, për shembull, i përgatis shumë mirë sarmat, tavat etj. Ëmbëlsirat i preferoj më pak sepse kohëve të fundit kam shtuar në peshë. Bashkëshorti im di të përgatis disa specialitete më mirë se unë dhe për këtë nuk jam xheloze. Në gjumë shkoj shumë vonë dhe zgjohem me orarin e zakonshëm të punës. Po ashtu, jam duke i përfunduar edhe dy xhemperë të cilët po i thurja që nga koha e bombardimeve, për të kaluar kohën. Njëri ka ngjyrë hiri, për meshkuj dhe tjetri ngjyrë të kuqe, për femra. Po ashtu, vetë e gëlqerosi banesën time dhe kryesisht përdori vetëm ngjyrën e bardhë të cilën e dua. E dua dritën dhe hapësirën sepse kam frikë nga ambientet e mbyllëta, të ngushta dhe të errëta. I dua sidomos lulet … /Telegrafi/