Gazetari dhe opinionisti, Enver Robelli, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, e cila i rrëzoi të gjitha ankesat për sistemin “Safe City”, e ndër ta edhe përdorimin e gjuhës shqipe në njoftimet dhe sms porositë që lëshohen nga ky sistem për shkelësit e rregullave në komunikacion, informon Telegrafi Maqedoni.
Robelli në reagimin e tij shkruan se kjo gjykatë nuk është pronë private e Darko Kostandinovskit, i cili vendimet e tij i bazon në ndjenjat nacionaliste maqedonase.
“Kushtetuta e shtetit maqedonas nuk është pronë private e Darko KostadinovskitËshtë alarmante të shohësh se si Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, në vend që të jetë gardiani i ligjit suprem, sillet si zëdhënës i mentaliteteve të vjetra e regresive që burojnë nga koha e komunizmit të përzier me nacionalizëm maqedonas. Qasja e tij e fundit kundër gjuhës shqipe nuk është thjesht një vendim antiligjor, por reflektim i një botëkuptimi që shqiptarët i sheh ende si të huaj në shtetin e tyre. Kjo qasje është sa e rrezikshme aq edhe e padrejtë, pasi Kostadinovski bëhet sikur nuk e njeh faktin që mbi 30 për qind e popullsisë në shtetin maqedonas janë shqiptarë dhe ata kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre në çdo nivel shtetëror. Kostadinovski tenton të zhbëjë arritjet e deritanishme sa i përket barazisë së shqiptarëve me pretendimin se komunikimi zyrtar duhet të bëhet vetëm në maqedonisht dhe anglisht. Fjala është për projektin “Safe City” të Ministrisë së Brendshme mbi gjobat në trafik. Sipas Kostadinovskit gjobat do të lëshohet vetëm në maqedonisht dhe anglisht, jo në shqip.Ky është një paradoks i vërtetë institucional, sepse ndërkohë që MPB-ja lëshon dokumente dygjuhëshe dhe kjo praktikë tashmë ekziston, Gjykata Kushtetuese merr vendime që shkojnë në drejtim të kundërt vetëm për të ndjekur vallen që luan qeveria aktuale dhe frymën përjashtuese të OBRM-PDUKM-së ndaj shqiptarëve”, shkruan Robelli.
Robelli ka kritikuar dhe partnerët shqiptarë në qeveri, pasi sipas tij koalicioni VLEN nuk po reagon dhe është kthyer në dekor qeveritar.
“Të pretendosh se në një shtet multietnik gjuha e një komuniteti shtetformues duhet të trajtohet si gjuhë e huaj, është një politikë tërësisht e çalë; është njëlloj sikur Zvicra të kërkonte që në kantonet franceze të flitej vetëm gjermanisht e anglisht, gjë që është absurde dhe tërësisht antievropiane. Ose zviceranët që flasin gjermanisht të thonë se dokumentet zyrtare lëshohen vetëm në gjermanisht e anglisht, por jo në frëngjisht.Në gjithë këtë situatë, ajo që irriton më shumë është heshtja dhe inferioriteti i koalicionit VLEN, i cili duket se është kthyer në dekor të një qeverie pa agjendë proeuropiane në Shkup. Duke mos ngritur zërin, krerët e këtij koalicioni po lejojnë që gjuha shqipe të konsiderohet si “cenim i shtetit”, kur në fakt është pikërisht kjo pasuri gjuhësore që do të duhej të mbante këtë shtet të bashkuar. Gjuha shqipe dhe përdorimi i saj në Maqedoninë e Veriut janë e drejtë kushtetuese që nuk mund të tjetërsohet nga keqpërdorimet politiko-juridike të Darko Kostadinovskit.Më 29 janar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Arben Fetai tha në podkastin “Rishtazi” të kolegut Nazim Rashidi tha si vijon: “Me operacionalizimin e sistemit nga 1 shkurti kemi qartësuar se do të respektohet ligji për përdorimin e gjuhëve dhe të njëjtat (gjobat e trafikut) do të vijnë në të dy gjuhët zyrtare”.Në pyetjen e rëndësishme nëse e garantonte këtë, Fetai u përgjigj: “Po e garantojmë”.Darko Kostadinovski tani po tallet me këtë garanci të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut.Imagjinojeni kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të dalë e të thotë publikisht se serbishtja nuk respektohet dhe të gjithë serbët e Kosovës duhet të mësojnë shqip. Gjykata do rrethohej nga diplomatët e BE-së, do vendoseshin sanksione ndaj Kosovës, do bëhej hata. Do të jetë tepër interesante të shihet në ditët në vijim nëse do të ketë reagime nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë lidhur me qasjen antiligjore të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut kundër gjuhës shqipe”, shkruan Robelli. /Telegrafi/