Senatori amerikan Lindsey Graham i bëri thirrje presidentit Donald Trump të fillojë furnizimin e Ukrainës me raketa Tomahawk dhe të intensifikojë presionin mbi udhëheqësin rus, Vladimir Putin, pas sulmeve të fundit në shkallë të gjerë të Rusisë në qytetet ukrainase, sipas deklaratës së tij në X.
“Është e qartë se presioni që po i bëjmë Putinit për t’u ulur në tryezën e paqes dhe për të ndaluar sulmet masive kundër Ukrainës nuk po funksionon”, tha Graham, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi gjithashtu se SHBA-të dhe Evropa duhet të ndjekin idenë e Trump për të synuar blerësit e naftës ruse që, sipas fjalëve të Graham, “mbështesin” përpjekjet luftarake të Rusisë.
Graham përmendi tarifat amerikane ndaj Indisë si një shembull se si një presion i tillë mund të zvogëlojë blerjet e naftës ruse, duke argumentuar se hapa të ngjashëm nga blerës të tjerë të mëdhenj mund të ndihmojnë në përfundimin e luftës.
“Së fundmi, pas këtij sulmi masiv mbrëmë, do t’i kërkoja presidentit Trump të fillojë një proces për t’i siguruar Ukrainës raketa Tomahawk, të cilat do të ndryshonin lojën ushtarakisht”, shkroi ai, duke shtuar, “Në ditët dhe javët në vijim, ne duhet të ushtrojmë më shumë presion ndaj Putinit”.
Këto komente u bënë ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për shkelje të një angazhimi të dhënë Shteteve të Bashkuara duke sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë një valë të fortë të të ftohtit.
Zelensky tha se Rusia shpërfilli një thirrje të SHBA-së për një ndalim njëjavor të sulmeve ndaj objekteve energjetike dhe goditi sistemin energjetik, duke ndërprerë ngrohjen dhe energjinë elektrike ndërsa temperaturat ranë nën zero.
Më parë, u raportua se ministri i Jashtëm i Polonisë dënoi sulmet me raketa dhe dronë të Rusisë gjatë natës në qytetet ukrainase, duke thënë se ato demonstruan se premtimi i Vladimir Putinit ndaj presidentit Donald Trump ishte bosh dhe nënvizoi shpërfilljen e Moskës për angazhimet diplomatike dhe sigurinë civile. /Telegrafi/