Real Madridi ka mbetur me më pak opsione në tregun e qendërmbrojtësve, pasi Marc Guehi iu bashkua Manchester Cityt, ndërsa Dayot Upamecano vendosi të qëndrojë te Bayern Munichu në vend që të largohej si lojtar i lirë.
Sipas gazetarit Jorge Picon për “El DesMarque”, drejtuesit madrilenë tani kanë kthyer vëmendjen nga qendërmbrojtësi i Borussia Dortmundit, Nico Schlotterbeck.
Mbrojtësi gjerman vlerësohet për shpejtësinë, gjatësinë dhe aftësinë shumë të mirë me topin, ndërsa është vetëm 26 vjeç dhe konsiderohet në kulmin e zhvillimit të tij.
Raporti bënë të ditur se Real Madridi e sheh Schlotterbeckun si një zëvendësues të mundshëm për David Alaban ose Antonio Rudigerin, të cilëve u skadon kontrata në fund të sezonit, andaj ka vendosur t’ia bëjë me dije lojtarit se e duan në verë.
Real Madridi është në mëdyshje nëse duhet t’ia rinovojë kontratën Rudiger, kurse duket i vendosur për të ndarë rrugët me David Alaban, i cili ka qenë i pafat që prej kalimit në “Santiago Bernabeu” si pasojë e lëndimeve të shpeshta.
Interesim për Schlotterbeck ka edhe Barcelona e Bayerni, megjithatë lojtari ëndërron të luajë në fanellën galaktike, prandaj gjasat për një transferim duken shumë të larta./Telegrafi