Në kuadër të javës së 29-të në La Liga, Real Madrid ka marrë një fitore të madhe dhe dramatike në derbi, me rezultat 3-2 ndaj Atletico Madrid, duke mbetur në garë të fortë për titullin.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, ndërsa mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 33-të me golin e Ademola Lookman, që finalizoi saktë një aksion të shpejtë (0-1).
“Los Blancos” patën disa raste të mira në pjesën e parë, por portieri Juan Musso reagoi mirë për ta mbajtur avantazhin e Atleticos deri në pushim.
Në pjesën e dytë, Real Madridi reagoi fuqishëm. Në minutën e 52-të, Vinicius Junior barazoi nga pika e bardhë, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Federico Valverde përfitoi nga një gabim në mbrojtje për ta përmbysur rezultatin në 2-1.
Atletico nuk u dorëzua dhe në minutën e 66-të barazoi shifrat në 2-2 me një supergol nga distanca të Nahuel Molina.
Megjithatë, vetëm gjashtë minuta më vonë, Vinicius realizoi edhe një herë, duke i dhënë epërsinë vendimtare Realit për 3-2.
Me këtë fitore, Real Madridi shkon në kuotën e 69 pikëve dhe vazhdon ndjekjen ndaj liderit Barcelona, që kryeson me 73 pikë, duke mbajtur gjallë garën për titull në elitën e futbollit spanjoll. /Telegrafi/