Real Madrid është lidhur me një transferim të mesfushorit të Manchester City, Rodri, pothuajse që nga momenti kur ai fitoi Topin e Artë. Kjo verë mund të jetë periudha kur “Los Blancos” bëjnë një lëvizje konkrete për spanjollin.
Fillimisht, madrilenët e kishin identifikuar Rodrin si objektiv për verën e kaluar, por dëmtimi i ligamentit përjashtoi mundësinë e një oferte të madhe financiare për të.
Rodri ende po kërkon të rikthehet në formën e tij më të lartë në mënyrë të qëndrueshme, pasi disa dëmtime e kanë penguar gjatë këtij sezoni, pavarësisht se u rikuperua nga këputja e ligamentit në verë.
Megjithatë, gjatë dy muajve të fundit ai ka qenë titullar në shtatë nga tetë ndeshjet e fundit të Cityt në Ligën Premier dhe duket se po rifiton ritmin, me një sy nga Botërori 2026.
Më herët është raportuar se Real Madridi synon ta ndjekë nga afër progresin e tij deri në fund të sezonit për të vlerësuar rikthimin e plotë.
Sipas gazetarit Ramon Alvarez, klubi madrilen do të lëvizë për transferimin e tij nëse Rodri arrin të largojë çdo dyshim mbi gjendjen e tij fizike në planin afatgjatë.
Besimi në “Santiago Bernabeu” është se mund të arrihet një marrëveshje me Manchester Cityn për rreth 50 milionë euro gjatë kësaj vere.
Më herët gjatë sezonit u raportua se City kishte nisur bisedimet me Rodrin për një kontratë të re, por duket se nuk është arritur ndonjë përparim i rëndësishëm në këtë drejtim.
29-vjeçari do të ketë vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij gjatë verës, çka mund të lehtësojë negociatat me Real Madridin, pasi City do të duhet të marrë një vendim për të ardhmen e tij./Telegrafi/