Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, i cili dje në një seancë në të cilën shqyrtoheshin iniciativat kundër sistemit “Safe City”, tha se SMS porositë duhet të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, pasi ajo është gjuha e vetme zyrtare.
Nga AZGJ thonë se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe.
“Lidhur me këtë qëndrim të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së është e udhës të reagojë si vijon: Mbase është e vërtetë se në Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, neni 1, thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, të cilin e citon kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. Por, krahas kësaj, ai nuk e citoi edhe paragrafin e dytë të këtij neni ku, po ashtu, thuhet se gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj”.
“Prandaj AZGJ-ja konsideron se ky qëndrim i tij është i njëanshëm, tendencioz dhe kundër gjuhës shqipe. Gjykata Kushtetuese si institucioni më i lartë shtetëror juridik duhet të jetë mbrojtëse e ligjit dhe jo shpërfillëse e tij. Për fat të keq, në këtë rast ajo u tregua selektive dhe shpërfillëse, bashkë me kryetarin e saj, duke e injoruar e anashkaluar gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj zyrtar. Kjo gjykatë duhet t’i tejkalojë paragjykimet dhe tendencat për sa i përket përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe të marrë qëndrime të drejta, si dhe të prononcohet në pajtim me ligjin, përndryshe nuk do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet, si dhe nuk do të kontribuojë në aspektin e zbatimit ligjor të gjuhëve zyrtare. Megjithatë, krahas maqedonishtes, edhe gjuha shqipe është zyrtare në RMV”, thonë nga AZGJ./Telegrafi/