Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sot pas deklaratës së ish-kryetarit të kësaj partie Isa Mustafa i cilit theksoi LDK duhet të reflektojë dhe se Abdixhiku nuk solli rezultate.
Abdixhiku në një postim në Facebook, ndonëse nuk përmend emra aludon në deklaratën e ish kryetarit të kësaj partie, i cili ishte kritik për zhvillimet në LDK duke thënë se standardi i dorëheqjes për rezultate të dobëta ishte vendosur tashmë dhe se injorimi i këtij standardi dëmton besueshmërinë e partisë.
Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut:
Në vend të injorimit dhe reagimit.
Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj.
Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin.
Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht. Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë.
Do ta kuptojmë një ditë, nëse veç se kemi kuptuar, se Kuvendi i ynë nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike. Ishte një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi. Prej asaj dite, kjo shtëpi e madhe e jona ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë – dhe, ju pëlqeu a s’ju pëlqeu disave, s’ka më asgjë që e ndal këtë mbarësi.
Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat. Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara.
LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje.
Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi.
Kaq, për sot e përherë.
Kemi punë më të mençura. /Telegrafi/