Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka refuzuar si të pa bazuara kërkesën e mbrojtjes së ish-ministres Rozeta Hajdari dhe të pandehurve të tjerë për kundërshtimin e provovave hedhjen e aktakuzës në rastin e “Rezervave Shtetërore”.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi
“Sipas Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13 mars 2026, kundërshtimet ishin parashtruar ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11 nëntor 2025, në çështjen penale kundër: R.H., I.L. dhe H.G., për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 dhe nenin 31 të KPRK-së; R.M., për Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; H.G., për Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1; R.H., I.L. dhe H.G., për veprën penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ka thënë Gashi.
Gjykata ka vendosur të rrëzojë të gjitha kundërshtimet e mbrojtësve, duke i konsideruar ato të pabazuara, dhe aktakuza e Prokurorisë Speciale vazhdon të qëndrojë në fuqi.
Gashi theksoi se vendimi i Gjykatës është konform procedurave ligjore dhe se çështja do të vazhdojë të trajtohet sipas procesit penal të parashikuar nga ligji.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, akuzohen për veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar (në bashkëkryerje) dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare, lidhur me dyshimet për abuzim me rezervat shtetërore (grurin dhe vajin), që i kushtuan buxhetit të shtetit qindra mijëra euro.
Ndërkaq, i pandehuri Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës. /Telegrafi/