Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas artikullit të publikuar nga Bloomberg, i cili u shpërnda gjerësisht në mediat shqiptare, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka mohuar gjithashtu zërat se palestinezët do të vendosen në Shqipëri, duke i quajtur këto raportime “gënjeshtra”.
“Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurmshme të Shqipërisë së vjetër”, ka shkruar Rama, duke shtuar se ajo që po ndërtohet sot është “një Shqipëri tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”.
Kryeministri ka theksuar se për të personalisht rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, të cilët, sipas tij, e kanë mbajtur katër herë në krye të shtetit, si dhe respekti i liderëve ndërkombëtarë dhe evropianë, të cilin e sheh si mjet për të nderuar dhe lartësuar Shqipërinë.
Në reagimin e tij të plotë, Rama ka renditur disa pretendime që i ka cilësuar si të pavërteta, përfshirë atë se në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së, se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro dhe se palestinezët do të vijnë në Shqipëri.
Sipas Ramës, e vërteta është shumë më e thjeshtë sesa ajo që, sipas tij, prodhohet nga “mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë”, sidomos në raste kur Shqipëria nderohet në arenën ndërkombëtare.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, ka përfunduar Rama.