Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shfrytëzuar takimin e parë të Bordit të Paqes për t’i kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të ndërmarrë hapa lidhur me procesin në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në fjalën e tij, Rama tha se gjatë mandatit të parë të Trump, SHBA-ja kishte arritur ta afronte Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje paqeje si asnjëherë më parë.
Ai theksoi se presidenti i atëhershëm i Kosovës ishte ndaluar të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen, duke e lidhur këtë me veprimet e prokurorit Jack Smith.
Rama u ndal veçanërisht te rasti i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, Thaçi ka kaluar gjashtë vite në paraburgim, ndërsa kërkesa e Prokurorisë për dënimin e tij me 45 vjet burgim ka shkaktuar “valë shoku”.
“Sot, presidenti i Kosovës tani ka shpenzuar gjashtë vite në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, sponsorizuar nga disa shtete demokratike… që duhet të jenë të turpëruara nga ai lloj i drejtësisë ndërkombëtare”, tha Rama.
Ai shtoi se gjykata “ka dështuar në çdo hap për të mbajtur standardet e drejtësisë demokratike”.
Në fund të adresimit të tij, Rama iu drejtua Trump me një apel të drejtpërdrejtë: “Për hir të Zotit, z. president, le të bëjmë diçka para se, siç thuani ju, shumë gjëra të këqija mund të ndodhin përsëri”.
Në të njëjtin takim, kryeministri shqiptar konfirmoi se Shqipëria do të dërgojë trupa në misionin ndërkombëtar të stabilizimit në Gazë, duke u shprehur i nderuar për përfshirjen në këtë iniciativë./Telegrafi.