Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar sot në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë së Kosovës se 17 shkurti është përmbledhje e sakrificave, qëndresës dhe besimit në shenjtërinë e lirisë.
Në një deklaratë për media, Rama ka theksuar se liria e vendit mban fytyra, emra dhe histori të gjalla, të ndërtuara mbi sakrificën e të burgosurve politikë, vizionin paqësor të doktor Ibrahim Rugovës dhe gjakun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“17 shkurti është vijë ndarëse mes epokave, është përmbledhje sakrifice, qëndrese dhe besimi tonë kolektiv në shenjtërinë e lirisë. E kjo liri mban emra, mban fytyra, mban histori të gjalla. Ajo u ndërtua mbi sakrificën e të burgosurve politikë që mbajtën gjallë frymën e qëndresës në vitet më të rënda. U forcua përmes vizionit paqësor e shtetformues të doktor Ibrahim Rugovës, u vulos me gjakun e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe u kurorëzua me partneritetin ndërkombëtar që e shndërroi të drejtën tonë në realitet shtetëror”, tha Rama.
Rama ka shtuar se lufta çlirimtare mbetet themeli mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës.
“Lufta çlirimtare mbetet themeli mbi të cilin qëndron shteti ynë. Drejtësia mbetet ura që lidh të kaluarën me të ardhmen. Nderim çlirimtarëve tanë, drejtësi për historinë tonë”, tha ai. /Telegrafi/