Rahoveci 029 ka shënuar një fitore tejet dramatike ndaj Vëllaznimit, në ndeshjen e fundit të xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma, në palestrën “Mizahir Isma”, skuadra rahovecase triumfoi me rezultat minimal 86:84.
Vëllaznimi e pati kontrollin e ndeshjes për pjesën më të madhe të kohës, duke qenë vazhdimisht në epërsi dhe duke krijuar diferencë të konsiderueshme në disa momente. Megjithatë, Rahoveci 029 nuk u dorëzua dhe qëndroi në lojë deri në sekondat e fundit.
Një minutë e 22 sekonda para fundit, vendasit barazuan për herë të parë, kur J’von McCormick realizoi për tri pikë për rezultatin 84:84. Në sulmin pasues, Vëllaznimi gaboi, ndërsa 36 sekonda para fundit u faulua Kentrell Pullian, i cili ishte i saktë nga gjuajtjet e lira për epërsinë vendimtare 86:84.
Skuadra gjakovare pati ende dy mundësi për të kthyer rezultatin, por Jericole Hellems ishte i pasaktë fillimisht për dy pikë dhe më pas edhe për tri pikë, duke i dhënë fund ndeshjes dhe duke nisur festën e madhe për rahovecasit.
Kentrell Pullian ishte figura kryesore e Rahovecit 029 me 32 pikë, nëntë kërcime dhe tetë asistime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Bardh Rexha me 13 pikë e shtatë kërcime, si dhe J’von McCormick me 20 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime.
Te Vëllaznimi, Jericole Hellems u dallua me 21 pikë, gjashtë kërcime dhe katër asistime, ndërsa Ziggy Reid dhe Derrick Wilson shtuan nga 15 pikë secili, me Reid që regjistroi edhe pesë kërcime.
Pas kësaj xhiroje, të dyja skuadrat kanë nga 25 pikë dhe ndodhen në fund të tabelës, duke e bërë edhe më interesante garën për mbijetesë në Superligë. /Telegrafi/