Qytetarë të ndryshëm kanë shprehur shqetësim për gjendjen në autostradën Prishtinë–Prizren, përkatësisht në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku në disa segmente raportohen korsi të bllokuara nga dheu dhe mbeturina, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe, sipas tyre, të rrezikshëm.
Sipas ankesës së dërguar nga qytetarët, situata është e pranishme prej javësh e muajsh, veçanërisht në hyrje dhe dalje të Suharekës, ku gjatë fundjavave thuhet se krijohen kolona të gjata dhe shtohet rreziku për aksidente.
“Prej muajsh të tërë, në disa segmente të kësaj autostrade, korsi të tëra janë të bllokuara nga dheu dhe mbeturina, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në ankesë nga qytetarët nga zona e Suharekës.
Qytetarët pyesin pse, sipas tyre, për një periudhë kaq të gjatë nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për pastrimin dhe funksionalizimin e korsive të bllokuara.
“Si është e mundur që për një periudhë kaq të gjatë nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për pastrimin dhe funksionalizimin e këtyre korsive?”, thuhet më tej, duke u ngritur edhe dilema nëse institucionet përgjegjëse janë duke kryer mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Në ankesë theksohet se si pasojë e kësaj situate po krijohen pritje të gjata në komunikacion, po rritet rreziku i aksidenteve dhe po ndikohet koha e qytetarëve.
“Po krijohen kolona të gjata që zgjasin me orë të tëra, po shtohet rreziku për aksidente, po dëmtohet siguria dhe koha e qytetarëve”, thuhet në reagim.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin dhe hapjen e plotë të korsive të bllokuara, sqarim publik për arsyet e vonesës, si dhe masa që situata të tilla të mos përsëriten.
“Kjo gjendje është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm, si dhe inspektim se dikush këtu punën nuk po e bën ose thjesht po neglizhon”, thuhet në ankesë.
Telegrafi ka tentuar të komunikojë edhe me Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me këto ankesa, por deri në kohën e publikimit të lajmit nuk ka pranuar përgjigje.
Në fund të vitit të kaluar, 12/12/2025, dy gra kanë vdekur në autostradën “Ibrahim Rugova” shkaku i rrëshqitjes së dheut, derisa ende nuk kanë intervenuar nga Ministria e Infrastrukturës për rehabilitimin e disa pjesëve të autostradës ku ka rrëshqitje të dheut. /Telegrafi/