Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 03.02.2026, ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Serbe, kurse i ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.
PZAP ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpallje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatëve të saj.
Paneli përmes vendimit ka nxjerr përfundimin se ankesa e ListësSerbe është e bazuar, duke vlerësuar se vendimi i KQZ-së ishte і pajustifikuar dhe në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore, për faktin se “rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim”.
PZAP, ndërkaq ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Emilija Rexhepit dhe të subjektit politik Nova Demokratska Stranka, të Koalicionit PAI–PDAK–LPB dhe të Partisë Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), përderisa ankesat e kandidatit për deputet të PDK-së Bekim Haxhiu i ka shpallur të pasafatshme.
Haxhiu kishte kërkuar që KQZ të anulonte të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas datës 29 dhjetor 2025, ora 16:00, përfshirë ato të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026, duke pretenduar se pranimi dhe numërimi i tyre përbën shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Sipas tij, ligji përcakton qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të kenë vulë postare para ditës së zgjedhjeve, ndërsa vendimi administrativ i KQZ-së ka lejuar, në praktikë, përfshirjen e votave pas këtij afati ligjor.
Në ankesë thuhej se gjithsej 23,232 pako me fletëvotime janë administruar dhe numëruar pas afatit ligjor, çka sipas Haxhiut ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor dhe në shpërndarjen e mandateve, duke theksuar se PDK nga 23 mandate ka rënë në 22, dhe se ai është kandidati që humb ulësen.
Nga ana tjetër, KQZ ka arsyetuar se për shkak të dështimit të kontraktimit të operatorit postar dhe festave të fundvitit, ishte e nevojshme të ndryshoheshin afatet operacionale për tërheqjen e pakove me fletëvotime, me qëllim garantimin e së drejtës së votës për qytetarët jashtë Kosovës.
Instanca e dytë pas PZAP-së është Gjykata Supreme e Kosovës. Palët kanë të drejtë ankese brenda afatit 48-orësh në Supreme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpallur më 01.02.2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, pas përfundimit të rinumërimit.
Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.