Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike po vazhdon me angazhime intensive në terren, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Sipas njoftimit, janë realizuar punime për pastrimin e trotuarit në rrugën Sllatinë – Bardh i Madh, ndërsa ndërhyrje janë bërë edhe në rregullimin e asfaltit në rrugën Fushë Kosovë – Bardh i Madh, konkretisht në fshatin Kuzmin.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve është bërë edhe vendosja dhe rregullimi i fushave sportive të basketbollit, si pjesë e përmirësimit të infrastrukturës rekreative.
Punimet në terren janë përcjellë nga afër edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Izja Mjeku.
Nga komuna bëhet e ditur se angazhimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim krijimin e kushteve sa më të mira për qytetarët. /Telegrafi/