Të gjithëve na pëlqen ajo ndjesi kur veshim një rrobë krejt të re: freskia e pëlhurës, ngjyrat apo modelet e forta dhe ajo ndjenjë e pastërtisë absolute. Por a e dini se rrobat e reja shpesh përmbajnë kimikate, baktere dhe papastërti të tjera që mund të shkaktojnë irritim të lëkurës apo probleme shëndetësore?
Nëse jeni nga ata që mezi presin t’i veshin menjëherë rrobat e sapoblera, mund të përballeni me pasoja si skuqje, infeksione apo irritim të lëkurës – diçka që askush nuk do ta “veshë” si stil.
Prandaj, larja e rrobave të reja para përdorimit është një ide shumë e mirë.
Sipas një studimi të publikuar në National Library of Medicine, disa rroba të reja mund të përmbajnë baktere si Staphylococcus aureus, e cila mund të shkaktojë infeksione të lëkurës dhe probleme të tjera shëndetësore.
Edhe pse duken dhe ndihen të pastra, rrobat e reja mund të jenë vend ideal për mikrobe dhe kimikate. Ato prodhohen në fabrika të mëdha, ku përdoren substanca të ndryshme për të përmirësuar pamjen, strukturën dhe qëndrueshmërinë e pëlhurës.
Për shembull:
Mund të përdoret formaldehid për të parandaluar rrudhat.
Ngjyruesit mund të shkaktojnë irritim apo reaksione alergjike.
Gjatë transportit dhe provimit në dyqane, rrobat mund të marrin baktere, përfshirë Norovirus, si edhe gjurmë papastërtish nga persona të tjerë që i kanë provuar.
Larja e rrobave të reja është e domosdoshme
Larja e rrobave të sapoblera ndihmon në largimin e mikrobeve, baktereve dhe kimikateve të dëmshme. Gjithashtu, eliminon erërat apo mbetjet që mund të jenë krijuar gjatë magazinimit ose transportit.
Përveç aspektit shëndetësor, larja:
Zbut pëlhurën dhe largon fortësinë e shkaktuar nga procesi i prodhimit;
I bën rrobat më të rehatshme për t’u veshur;
Ndihmon që ato të zgjasin më shumë.
Një përfitim tjetër është parandalimi i tkurrjes. Ndonjëherë rrobat mund të kenë madhësinë e duhur në fillim, por të tkurren pas larjes së parë. Duke i larë para se t’i vishni, shmangni surprizat dhe siguroheni që t’ju rrinë siç duhet.
Si t’i lani rrobat e reja?
Kontrolloni gjithmonë etiketën e kujdesit për të përdorur temperaturën dhe programin e duhur të larjes dhe tharjes.
Përdorni detergjent të butë, pa kimikate të forta dhe pa aromë të rëndë.
Shmangni zbutësit e rrobave ose fletët për tharëse, pasi mund të lënë mbetje dhe të shkaktojnë irritim të lëkurës;
Rrobat me ngjyra të forta lajini veçmas ose me rroba me ngjyra të ngjashme për të shmangur përzierjen e ngjyrave;
Thajini në temperaturë të ulët ose mesatare dhe shmangni tharjen e tepërt, e cila mund të shkaktojë tkurrje dhe dëmtim të pëlhurës.