Një libër i ri paraqet një argument bindës se kompozitori nxitej nga xhelozia ndaj rivalit Giacomo Meyerbeer, jo nga urrejtja ndaj hebrenjve.
Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
A ishte Wagneri përbindësh? Monstruoziteti që i atribuohet është antisemitizmi i tij i supozuar – temë e një libri të hulumtuar në detaje, Vagneri: Shpikja e përbindëshit [Wagner: The Invention of a Monster], nga Derek Hughes, profesor emeritus në Universitetin e Aberdinit. Hughes vë në pikëpyetje supozimet se Wagneri i urrente hebrenjtë dhe se ai ishte frymëzimi për antisemitizmin e Rajhut të Tretë dhe për Zgjidhjen Përfundimtare.
Besimi në antisemitizmin e Wagnerit është aq i rrënjosur, saqë operat e tij nuk interpretohen në Izrael (ndonëse ndoshta muzikanti më i madh i kohës sonë, Daniel Barenboim, i cili është hebre, ka dhënë shumë interpretime mahnitëse të Wagnerit). Sigurisht, interpretuesi më i madh i veprës së Wagnerit sot është Barrie Kosky, gjithashtu hebre.
Autorë të panumërt (disa prej të cilëve Hughes i citon) kanë shkruar se sa shumë u pëlqen muzika e Wagnerit, por edhe sa shumë e përçmojnë njeriun. Pretendimi i Hughesit është se, ndonëse Wagneri kishte të metat e veta, frymëzimi i Holokaustit nuk ishte njëra prej tyre; dhe se, meqë ai vdiq 50 vjet përpara se Hitleri të vinte në pushtet dhe gjashtë vjet përpara se ai madje të lindte, lidhja e tij me ligësinë naziste është thjesht e gabuar
Megjithëse ai paraqet një argument të fortë për pafajësinë e Wagnerit ndaj antisemitizmit, është e qartë se Wagneri, në këtë aspekt, ishte armiku më i keq i vetvetes. Në vitin 1850, kur ishte vetëm 37 vjeç dhe ende po krijonte emrin e tij, ai shkroi një pamflet të pamenduar dhe shumë të përçmuar, të quajtur Das Judenthum in der Musik ose Judaizmi në muzikë. Teza e tij është se kompozitorët hebrenj motivohen kryesisht nga paratë, jo nga krijimi i artit të madh: se ata duan të merren me “kënaqjen e turmës”. Trajtimi që Hughesi i bën kësaj eseje – të cilën ai e pranon se është “e shëmtuar” – është pjesa më pak bindëse e librit të tij dhe arsyeja pse, pavarësisht përpjekjeve të tij mbinjerëzore, Wagneri pa dyshim do të vazhdojë të përçmohet si dikush që i urrente hebrenjtë.
Hitleri me renë e Richard Wagnerit, Winifred Wagner (majtas), dhe nipin e tij Wieland Wagner (djathtas) në Bajrojt në vitin 1938Getty/Keystone-France
Wagneri motivohej, pohon ai, jo nga urrejtja ndaj hebrenjve në përgjithësi, por ndaj Giacomo Meyerbeerit (i cili kishte qenë diçka si mentor i tij), ndaj të cilit ishte thellësisht xheloz. Meyerbeeri ishte goxha një njeri që kënaqte turmën dhe kishte krijuar një reputacion të madh duke qenë i tillë. Wagneri mendonte (me njëfarë të drejte) se ishte kompozitori më i mirë i operave; megjithatë, suksesi i Meyerbeerit me Profetin [Le Prophète], teksa Wagneri po luftonte ta vinte në skenë Loengrinin [Lohengrin] ishte diçka më shumë sesa ky i fundit mund të duronte. Pavarësisht miqësisë së tyre të mëparshme, Wagneri e përdori faktin që Meyerbeeri ishte hebre si një tjetër shkop me të cilin do ta rrihte. Kjo nuk e lartëson moralisht.
Hughes e përkufizon Wagnerin si antihebre, jo si antisemit, por kjo duket si një ndarje e pamundur e dallimeve tepër të imëta. Ai e bën këtë për ta shfajësuar Wagnerin nga racizmi (i cili hyn nën kategorinë e antisemitizmit), sepse të qenët antihebre cilësohet vetëm si një kundërshtim kulturor ndaj hebrenjve. Hughes përpiqet, por nuk ia del. Wagneri sigurisht kishte miq që ishin hebrenj dhe disa nga deklaratat e tij (dhe të gruas së tij) për hebrenjtë dhe trajtimin e tyre janë keqinterpretuar qëllimisht.
Por, Wagneri, cilido qoftë motivimi i tij, i shihte hebrenjtë si thes boksi. Hughes argumenton se synimi i Wagnerit në esenë e tij ishte t’i nxiste hebrenjtë të asimiloheshin dhe ai paraqet një argument të mirë për këtë, por, kur eseja u ribotua në vitin 1869, kur Wagneri ishte i famshëm, ajo shkaktoi zemërim të ri pikërisht sepse shumë prej atyre që e lexuan e kuptuan si shumë fyese. Duket se gjëja më e mirë që mund të thuhej për të ishte se ishte shumë i zhurmshëm në marrëdhëniet e tij me publikun.
Cosima Wagner, gruaja e Richardit, ishte një antisemite e tërbuarBettmann
Wagneri pati fat të keq edhe me trashëgiminë e tij. Hughes argumenton se ai nuk e dinte se çfarë ishte “arianizmi” deri në vitin 1879, por operat e tij, pothuajse të gjitha të shkruara deri atëherë, u përvetësuan për të promovuar këtë ideologji. E veja e tij, Cosima, ishte antisemite, ashtu si edhe nusja e djalit të tij, Winifred, e cila, pas vdekjes së bashkëshortit të saj Siegfried në vitin 1930, e vuri Bajrojtin në dispozicion të Hitlerit. Si pasojë, lidhja e Bajrojtit dhe e familjes Wagner me nazizmin dhe antisemitizmin është e padiskutueshme. Ajo që Hughes kundërshton është se sa përgjegjës ishte Wagneri për ligësinë e nazistëve.
Ai i rrëzon lehtësisht argumentet se disa personazhe të pakëndshme te Wagneri janë hebrenj, ose se synoheshin të ishin të tillë: veçanërisht Mime dhe Alberishi nga Unaza [Der Ring des Nibelungen], dhe Bekmeseri nga Mjeshtrat këngëtarë të Nurembergut [Die Meistersinger von Nürnberg]. Ai i përçmon produksionet e fundit në Bajrojt të cilat janë përpjekur t’i paraqesin si të tillë për qëllime të sinjalizimit të virtytit. Ai e hedh poshtë, me sukses të plotë, një pohim histerik të një kritiku gjerman se “gjurma e pashlyeshme që Parsifali i Wagnerit ka lënë në histori është Holokausti”.
Ai akuzon me të drejtë disa autorë se po sajojnë gjëra. Ai pranon se Wagneri, të cilit i pëlqenin shakatë spontane, bënte komente pa shije për hebrenjtë të cilat sot ndoshta do të bënin që policia t’i trokiste në derë; por, thotë se ato nuk mund të barazohen me një krim kundër njerëzimit. Mbrojtja nuk është e papërshkueshme, pavarësisht përpjekjeve të Hughesit; por, kjo listë akuzash nuk është aq e zezë sa dukej. Në botën e ethshme të studimeve mbi Wagnerin, pa dyshim së shpejti do të ketë një kundërpërgjigje. /Telegrafi/