Mund të pastroni me orë të tëra, por disa zakone të përditshme e zhbëjnë gjithë mundin. Nga leckat e ndotura te ventilimi i bllokuar dhe rrobat e lagështa, ja çfarë e bën shtëpinë të duket sërish e parregull
Sa herë ju ka ndodhur që të kaloni orë të tëra duke pastruar, të fërkoni çdo cep, e të nesërmen të keni ndjesinë se nuk keni bërë asgjë? Banesa duket njësoj si më parë, pluhuri shihet sërish, ajri nuk është i freskët, ndërsa ndjesia e rregullit zhduket shpejt. Shumë amvise mendojnë se nuk e kanë pastruar sa duhet hapësirën ku jetojnë, por e vërteta shpesh është tjetërkund. Problemi nuk është te mundi, por te zakonet e vogla të përditshme që nuk i vërejmë, e që në fakt e zhbëjnë gjithë punën tonë.
Pastrueset profesionale paralajmërojnë se edhe pastrimi më i thellë i shtëpisë nuk jep efekt nëse bëhen disa gabime dhe përsëriten vazhdimisht. Nga leckat e ndotura dhe fshesat me korrent të mbushura plot, deri te mënyra si e thajmë rrobat apo si i mbajmë gjërat në dollap, të gjitha ndikojnë që shtëpia të duket e parregullt, edhe kur sapo është pastruar.
Gabimi kryesor, mjetet e ndotura të pastrimit
Profesionistët së pari shohin në çfarë gjendjeje janë mjetet e pastrimit. Nëse leckat, sfungjerët dhe fshirëset e dyshemesë janë të ndotur, ata nuk e largojnë papastërtinë, por vetëm bartin bakteret nga një vend në tjetrin. Zgjidhja është e thjeshtë: pas çdo pastrimi, i gjithë inventari duhet larë mirë dhe lënë të thahet. Sfungjerët e enëve duhet ndërruar të paktën një herë në javë, ndërsa leckat duhen larë pas çdo përdorimi.
Kur qesja e fshesës me korrent është plot, pajisja pushon së qeni ndihmëse dhe bëhet armike. Në vend që ta mbledhë pluhurin, fillon ta kthejë sërish në ajër. Përveç kësaj, motori punon nën ngarkesë më të madhe, gjë që ia shkurton jetëgjatësinë pajisjes. Pastrueset me përvojë këshillojnë që qesja të zbrazet ose të ndërrohet kur mbushet rreth dy të tretat, transmeton Telegrafi.
Leckat e kuzhinës, kërcënim i fshehur
Sipas hulumtimeve, në leckat e kuzhinës ka më shumë baktere sesa në dërrasën e WC-së. Nëse ndërrohen më rrallë se çdo dy ose tri ditë, numri i mikrobeve rritet shumëfish. Më të rrezikshmet janë leckat e lagështa, sepse aty bakteret shumohen më shpejt.
Për ta shmangur këtë problem, duhet të keni lecka të ndara për duar dhe për enë, t’i lani në temperaturë së paku 60 gradë, t’i thani në ajër të pastër (jo në banjë) dhe t’i mbani në vend me ajrosje të mirë.
Pluhuri në ajër dhe ventilimi i bllokuar
Grilat e bllokuara të ventilimit janë shkak i shpeshtë i ajrit me pluhur në banesë. Ato duhen pastruar çdo tre muaj. Përndryshe, ventilimi punon më dobët, shfaqen erëra të pakëndshme, shtohet pluhuri dhe rritet ngarkesa mbi pajisjet e klimatizimit. Është e rëndësishme që grilat jo vetëm të thithen me fshesë, por edhe të fshihen me leckë të lagësht. Një herë në vit rekomandohet angazhimi i profesionistëve për pastrim të thellë të kanaleve të ventilimit.
Ruajtja e duhur e gardërobës
Dollapët e mbingarkuar janë mbledhës të vërtetë të pluhurit. Gjërat që qëndrojnë gjatë pa u lëvizur jo vetëm mbledhin pluhur, por krijojnë mjedis të përshtatshëm për merimangat dhe tenjat. Profesionistët këshillojnë që dollapët të rregullohen rregullisht, të mos ruhen gjëra të panevojshme, të përdoren qese vakumi për gardërobën sezonale dhe të lihet hapësirë mes rrobave për ajrosje.
Kafshët shtëpiake dhe rrobat e lagështa
Kafshët shtëpiake sjellin gëzim, por edhe papastërti shtesë në banesë. Pas çdo shëtitjeje, duhet t’u fshihen putrat me leckë të veçantë. Rekomandohet të keni një set të posaçëm të tillë dhe t’i lani pas çdo daljeje. Vendi ku fle kafsha duhet pastruar me fshesë çdo ditë.
Nëse rrobat e lagështa i lini në rrobalarëse, shpejt do të shfaqet myku. Pas vetëm disa orësh fillojnë të shumohen bakteret dhe krijohet erë e pakëndshme. Nëse nuk mund t’i varni menjëherë, mund të aktivizoni edhe një centrifugim shtesë, që do t’ju blejë pak kohë. Rrobat e pista nuk duhen mbajtur në dysheme, sepse kështu krijohen kushte ideale për zhvillimin e mikrobeve. /Telegrafi/