Nga: Dominic Grieve, ish-deputet konservator dhe ish-Prokuror i Përgjithshëm i Anglisë dhe Uellsit / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Jam i kënaqur që qeveria [e Mbretërisë së Bashkuar] ka vendosur të zbatojë rekomandimet e mia për ofrimin e një përkufizimi të armiqësisë kundër myslimanëve.
Gjatë marrjes së dëshmive, grupi i punës i ngarkuar me zhvillimin e një përkufizimi të ri joligjor të kësaj armiqësie, mbeti pa asnjë dyshim se abuzimi dhe ngacmimi i rastësishëm ndaj myslimanëve plotësisht të bindur ndaj ligjit, të cilët kërkojnë të jetojnë jetën e tyre në harmoni me fqinjët dhe të kontribuojnë në jetën e vendit tonë, është rritur dhe po vazhdon të rritet.
Kushdo që shikon rrjetet sociale do të vërejë gjithashtu se kjo është zhvilluar në internet në një shpifje të përgjithësuara dhe të neveritshme. Ndarjet dhe dëmet që kjo rrezikon të shkaktojë në shoqërinë tonë, nuk janë diçka që mund të shpërfillen.
Kundërshtarët e përkufizimit argumentojnë se ai rrezikon të kufizojë lirinë legjitime të shprehjes, përfshirë të drejtën për të kritikuar dhe tallur fenë islame, si dhe për të ngritur shqetësime rreth praktikave kulturore. Ata shprehin shqetësimin se ai do të përdoret si armë nga ekstremistët islamistë.
Por, kushdo që merr mundimin të lexojë përkufizimin, do të shohë se kjo nuk duhet të jetë kështu. Grupi i punës dhe qeveria kanë qenë të përkushtuar të sigurojnë që kjo të mos ndodhë.
Vetë përkufizimi nuk është një ligj i ri. Ai synohet si një mjet për të ndihmuar në identifikimin e një problemi dhe shënimet shpjeguese e bëjnë të qartë se debati i fuqishëm mbi çështjet e fesë dhe kulturës, që mbështet një shoqëri të lirë, nuk do të pengohet.
Vlen të theksohet se disa organizata dhe institucione aktualisht po përdorin përkufizime të tjera që janë të diskutueshme në këtë aspekt. Unë e shoh mundësinë e zëvendësimit të tyre me këtë si një përmirësim.
Kohët e fundit, armiqësia kundër myslimanëve shpesh është përshkruar si “islamofobi”. Ky është një term që mund të ketë njëfarë vlefshmërie në një diskutim akademik dhe, për shumë myslimanë, ai do të thotë të njëjtën gjë si armiqësia kundër myslimanëve. Por, duke pasur parasysh kuptimin e tij të zakonshëm, termi “islamofobi” i referohet një frike irracionale nga një fe, dhe kjo nuk është diçka nga e cila ndonjë fe ka të drejtë të mbrohet, ashtu siç edhe një bindje politike nuk duhet të mbrohet nga kritika. Ajo që është racionale ose irracionale duhet vetë t’i nënshtrohet debatit.
Përdorimi i tij ka ngritur shqetësimin se synimi është të parandalohet kritika ndaj islamit dhe është parë si një kërcënim për një ligj të ri për blasfeminë. Si mbështetës – kur isha deputet – i shfuqizimit të ligjit tonë të mëparshëm për blasfeminë, kjo është diçka që unë dhe grupi i punës nuk kishim asnjë qëllim ta ringjallnim për ndonjë fe.
Një çështje tjetër ka qenë nëse armiqësia kundër myslimanëve është një formë racizmi. Islami është sistem universal besimi me ndjekës nga shumë raca dhe kombe. Ndërsa armiqësia ndaj myslimanëve mund të ketë shpeshherë një element racizmi të bazuar në faktorë etnikë dhe kulturorë, dhe ata që i përbaltin myslimanët shpesh i trajtojnë sikur të ishin një grup racor për t’i margjinalizuar, ky nuk është një përshkrim i saktë për armiqësinë ndaj një feje dhe ne nuk e kemi përdorur atë.
Vetëm një përkufizim, në vetvete, nuk e zgjidh problemin që po identifikon. Por, ai siguron një fokus mbi çështjet që duhet të trajtohen.
Dëshmitë që morëm treguan se përkufizimi ekzistues i antisemitizmit po e përmbush këtë qëllim. Edhe ai ishte një përgjigje pragmatike ndaj një problemi të dukshëm dhe në rritje. Jam i kënaqur që qeveria ka shpallur gjithashtu masa të tjera për të përmirësuar kohezionin shoqëror, të cilat do të jenë të rëndësishme për t’u zbatuar.
Jam i bindur se, të marra së bashku, ato mund të kontribuojnë në përparimin e së mirës së përbashkët në vendin tonë. /Telegrafi/