Komuna e Gjakovës njofton qytetarët se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në male dhe shirave të vazhdueshëm, gjatë ditës së sotme situata në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme.
Sipas njoftimit të komunës, gjendja më e rrezikshme është pranë lumenjve, të cilët po përballojnë me vështirësi prurjet e mëdha të ujit.
Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi aty është bërë i vështirë për shkak të prurjeve të lumit Erenik.
Autoritetet komunale apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjeve në afërsi të lumjeve dhe lokacioneve ku ka grumbullim të ujit.
“Ju ftojmë të monitoroni situatën në zonat tuaja, pasi prurjet mund të rriten në vazhdim. Për çdo problem, ju lutem të kontaktoni emergjencat dhe Policinë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/