Një tjetër ligj kyç në kuadër të reformave në sistemin gjyqësor, ai për Këshillin e Prokurorëve Publikë, u diskutua në debat publik. Duke arsyetuar propozimin, Aleksandra Dejanovska Trendafilova, profesoreshë në Fakultetin Juridik dhe anëtare e grupit punues që e hartoi ligjin, tha se i është kushtuar vëmendje forcimit të rolit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, por edhe se nga Komisioni i Venecias kanë marrë disa vërejtje.
“Kemi marrë vërejtje për dy baza, njëra është ndikimi mbi pavarësinë e prokurorit publik nga ana e një anëtari të Këshillit, duke u theksuar se kjo mund të nënkuptojë ndërhyrje në një rast konkret. Vetë anëtarët e grupit punues që vijnë nga radhët e Këshillit të Prokurorëve Publikë thanë se për ta kjo nuk është dispozitë e paqartë, ata e dinë saktë se çfarë nënkupton shkelja e pavarësisë, e cila realizohet përmes ndikimit ndaj një prokurori konkret se si të veprojë në një rast të caktuar nga pozita e anëtarit të Këshillit”, tha Aleksandra Dejanovska Trendafilova – profesoreshë në Fakultetin Juridik.
Profesoresha Ana Çupeska, nga ana tjetër, nuk ka mendim pozitiv për propozim-ligjin. Ajo thotë se në publik premtohen reforma, por në thelb ofrohet një zgjidhje që bie ndesh me standardet e Komisionit të Venecias dhe cenon pavarësinë e prokurorëve publikë.
“Kjo, si të thuash, halucinacion institucional, është në përplasje të drejtpërdrejtë me standardet e Komisionit të Venecias për transparencë dhe përfshirje në procesin ligjvënës. Kjo mënyrë e padrejtë e nisjes paralajmëron atë që vjen më pas në strukturën e brendshme të propozim-ligjit, ku natyra deklarative e nenit 2, që gjoja garanton pavarësinë e prokurorëve publikë, mbetet një frazë boshe pa mekanizma konkretë mbrojtës”, u shpreh Ana Çupeska – profesoreshë.
Margarita Caca Nikollovska, ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, vuri në dukje se një pjesë e madhe e dispozitave janë vetëm deklarative dhe mund të krijojnë probleme në praktikë. Ajo shprehu gjithashtu vërejtje për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ku parashikohet që ata të mos mund të zgjidhen në disa mandate radhazi, por të kenë një pauzë.
“Nuk dëgjova asnjë fjalë për kontinuitetin. Ju thatë se duhet të ketë ndërprerje që të mos ketë gjithmonë të njëjtët persona. Sërish një qasje deklarative. Nëse kontinuiteti është i rëndësishëm dhe nënkupton sukses në punë, atëherë nuk mund ta minimizojmë dhe as ta largojmë”, potencoi – Margarita Caca Nikollovska – ish-gjyqtare.
Propozim-ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, së bashku me propozim-ligjin për Prokurorinë Publike, janë pjesë e agjendës reformuese në drejtësi dhe pritet të dërgohen në Kuvend për miratim.