Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, bëri të ditur se Projektligji për Buxhetin e vitit 2026 përfshin ndryshimin e nevojshëm që mundëson rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para.
“Ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti më i suksesshëm në historinë e re të Kosovës. Pritjet që qytetarët kanë nga ne janë dëshmi e standardit që kemi vendosur, e që duhet ta nderojmë dhe përmbushim çdo ditë”, tha Kurti.
Kryeministri bëri të ditur se buxheti për vitin 2026 përmban gjithashtu pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të paguhet sapo të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit.
“Me kuvendin e legjislaturës së 10-të të konsistuar dhe me votën e deputetëve, i japim mundësi Kuvendit që të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë Planin e Rritjes së BE-së në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro”, shtoi Kurti.
Ai theksoi se pas miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, do të fillojë diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e presidentit të vendit. /Telegrafi/