Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Po ashtu, R.M. akuzohet për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
I pandehuri ndodhet aktualisht nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa çështja i është përcjellë për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me synimin për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të vendosur përgjegjësi penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare. /Telegrafi/