Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar për disa përditësime në procedurat e udhëtimit, të cilat kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli 2026, duke synuar lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit të fluturimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, udhëtarët këshillohen të përdorin check-in online dhe të mbajnë kartën e imbarkimit në celular ose të printuar, ndërsa pasagjerët pa bagazh të regjistruar mund të shkojnë direkt në portën e nisjes.
Po ashtu, është theksuar se pasagjerët duhet të jenë në aeroport shumë më herët se zakonisht, duke filluar nga 3 orë para orës së nisjes së fluturimit, për shkak të procedurave të imbarkimit dhe mbylljes së check-in-it.
“Aeroporti u bën thirrje të gjithë pasagjerëve që të jenë në aeroport më herët dhe të respektojnë oraret e përcaktuara sipas politikave të linjave ajrore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, autoritetet kanë kërkuar që gjatë regjistrimit online të plotësohen saktë të dhënat personale dhe dokumentet e udhëtimit, pasi çdo gabim mund të shkaktojë probleme gjatë procesit të imbarkimit.
Udhëtarëve u rekomandohet të informohen paraprakisht për fluturimet e tyre dhe të ndjekin udhëzimet e linjave ajrore për një udhëtim më të shpejtë dhe më të lehtë. /Telegrafi/