Në një konferencë për media, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ndaj përjashtimit të buxhetit të kryeqytetit nga Projektligji për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
“Ky buxhet i miratuar i Kryeqytetit nuk është përfshirë në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore pa arsyetim, pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative, kjo është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues”, tha Rama.
Ai nënvizoi rëndësinë e buxhetit për funksionimin e qytetit. “Buxheti i Komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese. Çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike”, tha Rama.
Kryetari paralajmëroi pasoja konkrete nëse situata nuk zgjidhet
“Pasojat nuk janë teorike. Ato janë reale dhe të menjëhershme: bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale dhe paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit”, u shpreh i pari i Prishtinës.
Rama gjithashtu sqaroi veprimet e ndërmarra. “Menjëherë i jemi drejtuar Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit, Kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit, si dhe Ministrisë së Financave, duke kërkuar përfshirjen e menjëhershme të buxhetit të miratuar dhe një sqarim të qartë ligjor për mos-përfshirjen”, tha Rama.
Rama paralajmëroi se nëse Ligji për Buxhetin 2026 miratohet pa përfshirjen e buxhetit të Prishtinës, ky ligj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, si dhe do kërkohet përgjegjësi nga secili autoritet i nivelit qendror që ka keqpërdorur detyrën.
“Prishtina nuk është opsion anësor në buxhetin e Republikës. Prishtina është Kryeqyteti. Kryeqyteti nuk duhet të sabohet dhe nuk do të lejojmë një gjë të tillë”, tha Rana.
Ky reagim vjen pas miratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës më 6 shkurt 2026, i cili u dërgua brenda afateve ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrinë e Financave, por u përjashtua nga Projektligji për Ndarjet Buxhetore. /Telegrafi/