Një zhvillim i ri ka ndodhur lidhur me incidentin mes Vinicius Junior dhe Gianluca Prestianni gjatë ndeshjes së parë të fazës së ‘play-off’-it të Ligës së Kampionëve mes Benficës dhe Real Madridit.
Prestianni u akuzua se përdori një shprehje racore për të fyer Vinicius, duke e quajtur atë “majmun” dhe duke bërë gjeste ofenduese.
Pas reagimeve të forta, lojtari argjentinas e mohoi publikisht akuzën dhe i tha fillimisht UEFA-s se kishte përdorur një shprehje homofobike ndaj brazilianit.
Sipas raporteve më të fundit, ndërkohë që UEFA po zhvillon hetimin, Prestianni pritet të ngrejë një kundër-akuzë ndaj Vinicius, duke pretenduar se braziliani e kishte tallur për gjatësinë e tij.
Sipas The Times, Prestianni do të mbrojë veten e tij duke thënë se Vinícius e kishte quajtur “xhuxh” dhe kjo e shtyri që ai të përgjigjej duke përdorur një shprehje homofobike ndaj yllit brazilian.
Duke qenë 166 cm i gjatë, Prestianni është një nga lojtarët më të shkurtër në futbollin elitar dhe padyshim një nga më të shkurtërit në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Ndërkohë që tallja për racën ose orientimin seksual përbën shkelje të Nenit 14 të rregulloreve të UEFA-s, tallja për gjatësinë e dikujt nuk mbulohet nga këto rregulla.
Në fakt, çdo tallje lidhur me karakteristikat fizike të një lojtari, si gjatësia, madhësia e veshëve, nuk përfshihet në rregulla.
Megjithatë, raporti thekson se mbrojtja e Prestiannit, e cila bazohet në hakmarrje pasi u quajt “xhuxh” është e paqëndrueshme dhe nuk pritet të konsiderohet si justifikim i vlefshëm./Telegrafi/