Presidenti i Dritës, Valon Murseli është shprehur i lumtur pas shortit për fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës, i mbajtur në Nyon të Zvicrës.
Sot (e premte) është hedhur shorti për fazën ‘play-off’ në Ligën e Konferencës, ku fati ka zgjedhur që Drita si kundërshtar ta ketë ekipin slloven, Celje.
Ky short i ka pëlqyer klubit gjilanas dhe i lumtur është shprehur edhe presidenti i klubit, Murseli, i cili sheh gjasa reale të ekipit të tij për të kaluar tutje.
“Jemi shumë të lumtur fillimisht që jemi këtu. Kemi luajtur një herë ndaj AZ Alkmaar dhe jemi të kënaqur që do të kemi një përvojë të re ndaj një ekipi me të cilin nuk jemi përballur më herët si Celje”, ka thënë fillimisht Murseli pas shortit.
Murseli më vonë është përgjigjur edhe në pyetjet se sa larg mund të shkoj Drita në këtë edicion dhe si po e sheh përvojën në Ligën e Konferencë.
“Ne kemi punuar shumë që të jemi këtu dhe tani sa larg shkojmë, nuk varet nga lojtarët dhe as nga vizioni jonë. Ne duam të jemi në finale, por jemi ekip i vogël dhe gjasat nuk i kemi edhe aq të mira. Po fitojmë eksperiencë dhe pas diku shtatë viteve mund të më pyesësh përsëri, e atëherë mund të flasim nëse do mund ta arrijmë finalen apo jo”.
“Do investojmë shumë në infrastrukturë. Ne po mësojmë shumë nga kjo përvojë evropiane. Është diçka shume e madhe për ne, pasi në fillim nuk e kishim idenë se si do te na shkonin këta muaj, por ne do vazhdojmë të mësojmë nga kjo përvojë”, përfundoi presidenti i Dritës. /Telegrafi/