Nga: Oliver Eagleton / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
“Populizmi” mund të ketë qenë fjala përcaktuese e dekadës së kaluar: një stenografi për partitë rebeluese që dolën në pah në vitet 2010, duke sfiduar dominimin e qendrës liberale. Por, sapo u bë temë kryesore për të diskutuar si të majtën ekstreme ashtu edhe të djathtën ekstreme, komentatorët nisën të vinin në dyshim vlefshmërinë e tij: duke u shqetësuar se ishte tepër i paqartë, ose tepër përçmues, apo se i ushqente forcat të cilave u referohej.
Tani, me fatet e dy poleve politike që po marrin drejtime të ndryshme – e djathta duke fituar terren në gjithë Perëndimin, ndërsa një pjesë e madhe e së majtës përpiqet të rimëkëmbet pas humbjeve të njëpasnjëshme – ideja se kjo fjalë mund të përfshijë akterë kaq të ndryshëm duket edhe më pak e besueshme. Për një shpjegim të qartë të këtyre forcave, mund të na duhet ta zhvendosim vëmendjen diku tjetër: të gjejmë terma që mund të shpjegojnë pabarazinë e tyre në balancën e pushtetit, në mënyrë që të gjejmë edhe zgjidhjen e duhur.
Lexo po ashtu:
– Një ese mbi populizmin
– Pra, çfarë është populizmi?
– Pse populistët magjepsen me letërsinë fantastike?
– Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës
– Duhet të ndalojmë së adhuruari perëndinë e rreme të liderit të fortë
– Patokracia
– Dinamika psikologjike që u mundëson diktatorëve të qëndrojnë në pushtet
Është domethënëse vështirësia për të ndarë natyrën reale të populizmit nga diskursi i tensionuar që e rrethon, sepse ndër të paktat pohime të sigurta që mund të bëjmë për fenomenin populist është se ai ushtron një theks të jashtëzakonshëm mbi gjuhën. Slogane të pashlyeshme, liderë elokuentë, një adresim i drejtpërdrejtë ndaj “popullit”: këto ishin elementet e përbashkëta në një gamë përndryshe të larmishme projektesh elektorale – që morën hov pas recesionit të madh të viteve 2007-2009 – duke hedhur poshtë frazat e zbrazëta për “unitet” dhe “konsensus” në favor të dallimit të fortë semantik midis “nesh” dhe “atyre”.
Me gjithë problemet e etiketës populiste, ajo të paktën arrinte ta kapte këtë modalitet thellësisht retorik të politikës, e cila zuri rrënjë në një kohë kur pjesa më e madhe e artikulimit politik kufizohej në fushën e fjalëve dhe jo të veprave: shpërthime në Twitter (tani X) dhe debate rreth tryezës së darkës, në vend të grevave dhe përplasjeve në rrugë. Nëse populizmi ishte deri-diku shënjues bosh, ai pasqyronte një kulturë të zbrazur – ku rënia e partive masive, sindikatave dhe shoqatave të tjera vullnetare kishte lënë pak kanale për aktivizëm. Erozioni i këtyre strukturave i detyroi politikanët “autsajderë” të gjenin mjete të tjera për të avancuar. Në vend që të ndërtonin baza të tilla popullore, ata u mbështetën te frazat e shkurtra për të monopolizuar ekonominë e vëmendjes dhe për të mobilizuar votuesit e zhgënjyer.
Por, teksa “populizmi” ishte një përmbledhje e dobishme e këtyre strategjive elektorale, ai ishte më pak i aftë të përcaktonte se çfarë synonin të bënin këta liderë sapo të hynin në qeveri. Në ShBA, për shembull, Bernie Sanders e kishte të qartë se synimi i tij si president do të ishte ta përdorte shtetin për të ringjallur lëvizjen punëtore dhe për të kufizuar pushtetin e sektorit të korporatave. Grupi përreth Donald Trumpit gjithashtu ka një plan të menduar për ta riorientuar politikën shtetërore, duke përqendruar autoritetin në ekzekutiv dhe duke e përdorur atë kundër grupeve të ndara në raca. Edhe pse populizmi mund të ketë qenë mjeti, qëllimet ishin më të gjera. Duke i parë Sandersin dhe Trumpin vetëm përmes metodave të fushatës së tyre, komentatorët shmangën një analizë më të thellë të projekteve të tyre qeverisëse: socialdemokraci radikale apo neo-nacionalizëm i linjës së rreptë.
Gjatë dekadës së fundit, njëri prej këtyre projekteve ka vazhduar të grumbullojë pushtet – jo vetëm në ShBA, por edhe në Itali, Finlandë, Sllovaki, Hungari, Britani, Francë dhe gjetkë – ndërsa tjetri kryesisht është margjinalizuar. Doli se kur e majta dhe e djathta përballeshin në terrenin e diskursit, me politikën shpesh të reduktuar në një seri prezantimesh promovuese, shanset ishin në favor të së djathtës, jo më pak sepse një media partiake ishte e gatshme të përhapte mesazhin e saj. Si përfundim, socialdemokracia e Sandersit mbetet thjesht një ide, ndërsa neo-nacionalizmi trumpian po bëhet gjithnjë e më shumë realitet.
Në dritën e këtij zhvillimi, kufijtë e paradigmës populiste janë bërë edhe më të qartë. Tipari kryesor i politikës sonë nuk janë më kandidatët më të dobët që përdorin këtë mjet për të kapur shtetin; është e majta ajo që përpiqet të rindërtojë veten pas dështimit të kësaj përpjekjeje, ndërsa një pjesë e madhe e së djathtës konsolidon suksesin e saj. Socialistët kanë kuptuar se populizmi, si praktikë politike, nuk është mjaftueshëm i fortë për t’i rezistuar një sulmi nga institucionet më të fuqishme të shoqërisë: ministritë shtetërore, partitë e qendrës, gazetat tradicionale, lobet e biznesit, gjykatat. Reaksionarët, ndërkohë, kanë mësuar se mund t’i fitojnë zgjedhjet mbi një platformë populiste, por ende po përcaktojnë cilën marrëdhënieje ta kultivojnë me këto institucione. Post-populistët, në të dyja anët, përcaktohen nga mënyra se si i qasen këtyre kështjellave të elitës: jo vetëm në retorikë, por edhe në veprime.
Këtu opsionet janë të dyfishta. Ose mund të bëjnë kompromis me rrezikun e asimilimit, ose të ndërmarrin një sfidë të drejtpërdrejtë me rrezikun e mposhtjes. Në Spanjë, liderja aktuale e së majtës, Yolanda Díaz, ka ndjekur rrugën e parë: duke u përpjekur të arrijë marrëveshje me qendrën e majtë dhe bizneset e mëdha, por duke kuptuar vazhdimisht kufijtë e ndikimit të saj. Në Francë, përkundrazi, Jean-Luc Mélenchon ka ruajtur pavarësinë politike të partisë së tij dhe ka refuzuar lëshimet që do ta rrezikonin atë, por kjo deri më tani e ka lënë shumë të izoluar për të tejkaluar kundërshtarët.
Një ndarje e ngjashme shihet edhe në skajin tjetër të spektrit. Përderisa liderët si Giorgia Meloni në Itali kanë kërkuar afrimin me bllokun tradicional të pushtetit, duke u tërhequr nga politikat më të rrezikshme, të tjerët, përfshirë Trumpin, kanë ndjekur një strategji më luftarake: duke sulmuar burokracinë shtetërore, duke injoruar gjyqësorin dhe shpesh duke anashkaluar kërkesat e biznesit. Si e majta ashtu edhe e djathta duhet të zgjedhin midis negociimit me elitat tradicionale ose përpjekjes për t’i shtypur ato.
Megjithatë, shanset janë thellësisht të pabarabarta. Ashtu siç e djathta e ka më të lehtë t’i fitojë zgjedhjet përmes mesazheve populiste, ajo është gjithashtu më e aftë ta menaxhojë këtë zgjedhje midis pajtimit dhe ballafaqimit. Arsyeja është e qartë. Socialistët kanë një program që do ta përmbyste rendin aktual shoqëror, ndërsa neo-nacionalistët synojnë të forcojnë hierarkitë e tij. Njëri grup dëshiron ta shkatërrojë konsensusin neoliberal; tjetri ta thellojë pabarazinë e tij të klasës, racës dhe gjinisë. Institucionet që mbikëqyrin këtë sistem, për rrjedhojë, do t’i rezistojnë më fort të majtës sesa së djathtës. Ato mund të bllokojnë disa nga veprimet më destabilizuese të kësaj të fundit – si përpjekjet për të vjedhur zgjedhjet – por, e kuptojnë se nuk ka një mospërputhje thelbësore interesash. Prandaj, pavarësisht nëse neo-nacionalistët janë më pajtues apo më agresivë, gradualë apo përshpejtues, ata mund t’i përdorin këto qendra pushteti për ta çuar përpara projektin e tyre: një luks që progresistëve u mungon.
“Populizmi” nuk mund t’i ndriçojë këto prirje – jo vetëm sepse termi është tepër i gjerë ose i ngarkuar, por sepse ai ishte më i përshtatshëm për një periudhë specifike kur sfiduesit përpiqeshin të thyenin dominimin elektoral të qendrës përmes lojërave gjuhësore: shumica kundër pakicës, të brendshmit kundër të jashtmëve. Edhe pse këto diskurse nuk janë zhdukur, rëndësia e tyre është zvogëluar në një botë ku ky dominim tashmë është thyer dhe ku përplasja mes populizmit të majtë dhe atij të djathtë është vendosur në favor të së djathtës. Një qasje më e mirë ndaj momentit tonë aktual do të ishte të studiojmë se si të dyja forcat po përpiqen, prej pikënisjeve shumë të ndryshme, të lëvizin brenda peizazhit institucional të neoliberalizmit: e majta duket e penguar qoftë kur zgjedh kompromisin, qoftë kur zgjedh ballafaqimin, ndërsa e djathta është në gjendje të ecën përpara me secilën prej tyre. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë ta përmbysim këtë situatë. Duhet të fillojmë duke kuptuar thelbin e politikës bashkëkohore, jo thjesht stilin e saj. /Telegrafi/