Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje dhe një incident të sulmit ndaj personave zyrtarë gjatë 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme të vendit.
Në Prishtinë, më 18 shkurt rreth orës 06:00, është raportuar se një femër është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj. Palët janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në Prishtinë rreth orës 19:30, një i dyshuar mashkull ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij dhe ka demoluar shtëpinë. Edhe në këtë rast, palët janë intervistuar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Pejë, më 18 shkurt rreth orës 18:45, dy viktima, nënë e djalë, kanë raportuar se djali, respektivisht vëllai i tyre, u ka shkaktuar dhunë fizike.
I dyshuari, i cili dyshohet se ka qenë nën ndikim të alkoolit, gjatë arrestimit nuk u është bindur urdhrave të policëve dhe ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Rahovec, më 18 shkurt rreth orës 15:25, është arrestuar një e dyshuar femër, pasi dyshohet se e ka dëbuar nga shtëpia bashkëshortin dhe e ka kanosur.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ajo është liruar në procedurë të rregullt.
Në Gjakovë, më 17 shkurt rreth orës 21:30, është raportuar se një i dyshuar mashkull ka sulmuar fizikisht femrën me të cilën bashkëjeton, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, më 18 shkurt rreth orës 14:30, janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër, pas një përleshjeje mes tyre pas një mosmarrëveshjeje.
Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një thikë. I dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë. /Telegrafi/