Policia e Kosovës ka njoftuar sërish qytetarët për fushatën mashtruese që po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar nga Autoritetet e Trafikut të Kosovës.
Sipas Policisë, këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese që synojnë të mashtrojnë qytetarët.
Autoritetet theksojnë se nuk kanë dërguar mesazhe të tilla dhe bëjnë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm.
“Të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë; të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare; të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve; dhe të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese”, njofton policia.
Policia gjithashtu u rekomandon qytetarëve që nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës dhe të denoncojnë rastin në stacionin policor më të afërt.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet “e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve” dhe ka ftuar qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar. /Telegrafi/