Dy raste të transportit të kundërligjshëm të drunjve janë evidentuar nga policia në fshatin Lluzhan të Podujevë.
Sipas policisë, rreth orës 02:20, gjatë patrullimit në fshatin Lluzhan, është ndaluar një kamion i drejtuar nga një i dyshuar mashkull kosovar, në të cilin ishte e ngarkuar një sasi drunjsh për djegie pa dokumentacionin përkatës dhe pa fletë përcjellëse.
Një rast i ngjashëm është evidentuar edhe rreth orës 03:10 në të njëjtin fshat, ku policia ka ndaluar një tjetër kamion me drejtues mashkull kosovar që transportonte dru për djegie pa dokumentet e nevojshme.
Në të dy rastet, masa drunore është konfiskuar dhe është dërguar për matje në Agjencia e Pyjeve e Kosovës.
Pas intervistimit nga policia, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rastet po hetohen.