Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme në veri të vendit, ku janë gjetur armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, në vazhdën e pranimit të informatave nga ana e qytetarëve, sot më datë 17.02.2026, ka pranuar informacione se në tri lokacione mund të ketë armë, municion si dhe mjete të tjera ilegale.
Si rezultat, janë ndërmarrë veprime policore duke kryer kontroll në tri lokacione.
Rasti I ka ndodhur rreth orës 01:20, njësitë policore kontrolluan një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut, ku u gjetën dhe u sekuestruan: 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1 emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti II u zbulua rreth orës 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, u gjetën dhe sekuestruan: 1 armë AK-47; 1 granatë dore M-57, prodhim jugosllav; 3 karikatorë të zbrazët të AK-47; 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm; 2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë; 60 fishekë të armës AK-47.
Rasti III rreth reth orës 12:20, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varage të Zubin Potokut, u sekuestruan: 1 granat dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në lidhje me këto raste, Policia informon se “në vendin e ngjarjes, në rastin II dhe III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.”
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Policia shton se lidhur me këto raste, nuk ka persona të arrestuar.
Në fund, Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike: “Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192.” /Telegrafi/