Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prishtinë janë funksionalizuar tri zyra të reja për policët e sektorëve në komunitet, me qëllim rritjen e sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët.
Sipas njoftimit, zyrat janë siguruar nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe pranimi i tyre është bërë në një ceremoni solemne ku morën pjesë përfaqësues të lartë të policisë dhe institucioneve relevante.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me përfaqësues nga Drejtoria e Kryeqytetit, Drejtoria Rajonale e Prishtinës, Departamenti i Rendit dhe Policia në Bashkësi. Po ashtu, të pranishëm ishin përfaqësues nga Këshilli Lokal për Siguri Publike, drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore dhe përfaqësues të komunitetit.
Me këtë rast, Hoxha theksoi përkushtimin e institucionit për forcimin e bashkëpunimit me qytetarët dhe adresimin e çështjeve të sigurisë publike.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me qytetarët, si dhe për adresimin efikas të çështjeve që lidhen me sigurinë publike”, ka deklaruar ai.
Sipas policisë, zyrat e reja do të shërbejnë si pika kontakti ndërmjet qytetarëve dhe policisë, duke mundësuar komunikim më të drejtpërdrejtë dhe duke ndikuar në rritjen e besimit të ndërsjellë.
Këto zyra janë vendosur në lagjen Dardania, në lagjen Aktash (mbrapa Galerisë së Arteve) dhe në Parkun e qytetit në Prishtinë.
Policia e Kosovës vlerëson se ky hap përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti më të sigurt dhe më të qetë për qytetarët, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin për avancimin e policimit në komunitet dhe ofrimin e shërbimeve cilësore. /Telegrafi/