Policia britanike i tha gabimisht një familjeje se djali i tyre kishte vdekur në një aksident me makinë, kur në fakt ai kishte mbijetuar.
Policia e South Yorkshire informoi familjen e Trevor Wynn, 17 vjeç, se ai kishte ndërruar jetë, së bashku me një vajzë të së njëjtës moshë, pas një përplasjeje të rëndë në Todwick në Rotherham, më 13 dhjetor.
Në atë kohë, mendohej se Joshua Johnson, 18 vjeç, ishte nën qetësues në spital pasi ishte lënduar, transmeton Telegrafi.
SYP tha se “informacione të reja dolën në dritë” të dielën, të cilat kishin nxitur ndërmarrjen e proceseve të mëtejshme të identifikimit.
Kontrollet e mëtejshme u kryen pasi adoleshenti – që më parë mendohej të ishte Johnson – u zgjua në spital dhe tha se ishte Wynn, tha korrespondentja e Sky News, Emma Birchley.
Testet konfirmuan se Wynn ishte i riu i lënduar rëndë në spital që po merrte trajtim, dhe Johnson ishte personi që vdiq.
“Gabimi i habitshëm” kishte bërë që familja e Wynn të kalonte Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me bindjen se ai kishte vdekur, ndërsa familja e Johnson besonte se ai ishte plagosur në spital, tha Birchley.
“Po raportohet se ky informacion, në fakt, ishte pacienti që zgjohej dhe thoshte: ‘Unë jam Trevor'”, tha ajo.
“Në atë pikë, bëhen kontrolle, teste mjeko-ligjore. Dhe është konfirmuar se, në fakt, është Trevor në shtratin e spitalit. Dhe me të vërtetë për fat të keq, është Joshua ai që ka vdeku”, shtoi ajo.
Familjeve të të dy adoleshentëve do t’u ofrohet mbështetja e shërbimeve të specializuara, tha policia.
Ndihmës shefi i policisë Colin McFarlane tha se kjo erdhi si “një tronditje e madhe për të gjithë, dhe ne e pranojmë traumën shtesë që kjo mund të shkaktojë.
“Ne po e mbështesim Trevorin dhe të gjitha familjet gjatë kësaj dhe kemi angazhuar agjenci të specializuara për të ndihmuar në ofrimin e kësaj mbështetjeje”, shtoi McFarlane
“Gjithashtu kam ofruar të takohem me të dy palët e prindërve, pasi jam i sigurt se ata do të kenë shumë pyetje, shumicën e të cilave nuk jemi në gjendje t’u përgjigjemi ende, por jemi absolutisht të përkushtuar për të kuptuar se si ndodhi kjo në mënyrë që të mos ndodhë përsëri. Kemi marrë vendimin për t’ia referuar veten zyrës së pavarur për sjelljen e policisë”, theksoi ndër tjera.
Një 18-vjeçar u arrestua me dyshimin për shkaktim vdekjeje nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit, dhe një 19-vjeçar u mbajt i ndaluar me dyshimin për prishje të drejtësisë. Të dy janë liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme. /Telegrafi/