Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast grabitjeje të ndodhur më 3 shkurt në Prizren, ndërsa i katërti po kërkohet nga organet e rendit.
Sipas njoftimit, me datë 03.02.2026, rreth orës 01:10, Policia ka pranuar një ankesë nga dy viktima (një mashkull dhe një femër) lidhur me një rast të grabitjes. Viktimat kanë deklaruar se tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta, duke i kanosur, u kanë marrë një shumë parash që ata kishin me vete.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka intervistuar viktimat dhe hetuesi kujdestar është konsultuar me Prokurorin e Shtetit, me urdhër të të cilit ka filluar procedimi i rastit.
Pas një pune intensive hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, janë identifikuar katër persona të dyshuar. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa i katërti është në arrati.
Sipas njoftimit, i dyshuari Nr.1 është arrestuar pranë një lokali në Prizren, dhe gjatë bastisjes në trupin e tij është gjetur një armë. Në automjetin e tij janë gjetur edhe një armë tjetër, dy maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Me një plan taktik të mbështetur nga njësitë tjera, edhe dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në një lokacion tjetër në Prizren.
Po ashtu, me urdhër të Prokurores së rastit, janë realizuar bastisje në shtëpitë e njërit prej të dyshuarve dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë.
Dy nga të dyshuarit, në prezencë të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar veprën e kryer. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari i katërt, V.S., nuk është hasur në shtëpi dhe aktualisht gjendet në arrati.
Rasti vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve – Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/