Komuna e Podujevës dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar Marrëveshje Konsorciumi për zbatimin e projektit Climate Integrated Pathways for Podujeva CLIPP, në kuadër të programit Horizon Europe.
Sipas njoftimit, projekti CLIPP ka për qëllim zhvillimin e strategjive dhe planeve konkrete për përballjen me ndryshimet klimatike në Komunën e Podujevës, përmes analizës së avancuar të të dhënave, përdorimit të mjeteve digjitale dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me komunitetin lokal. Në fokus të projektit është forcimi i kapaciteteve institucionale dhe rritja e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Granti për realizimin e projektit është në vlerë prej 209,943.75 euro dhe është i tipit financim kaskadë, që nënkupton se mjetet sigurohen si nëngrant nga një projekt ekzistues i programit Horizon Europe.
Marrëveshja u nënshkrua nga Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti, e cila njëkohësisht është koordinatore e projektit nga ana e Komunës.
Projekti pritet të zbatohet nga janari i vitit 2026 deri më 30 qershor 2027 dhe përfaqëson një bashkëpunim të rëndësishëm ndërmjet institucioneve lokale dhe atyre akademike, me synim përfitime konkrete në planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Podujevës. /Telegrafi/