Viti 2025 u mbyll me një shifër rekord të turistëve të huaj që erdhën në vendin tonë me plot 12.5 milionë.
Por ajo që mund të lexohet mes shifrave është se ka një rënie të rimit të rritjes së turistëve të huaj në vendin tonë, duke evidentuar paqëndrueshmërinë si një rrezik për sektorin.
Por këtë vit si nga institucionet ashtu dhe operatorët turistikë parashikimet për këtë sezon janë të rezervuara. Ministri i turizmit Blendi Gonxhja, në një intervistë për emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, tha se sezoni i dimrit nuk ishte në më të mirën e tij.
“Ne patëm një nisje në muajin janar jo shumë optimiste sa i përket shifrave. Shkak për këtë ishin kushtet atmosferike. Reshjet e dendura dhe të zgjatura kanë stepur turistët të vijnë dhe të vizitojnë Shqipërinë. Kjo u reflektuar në disa aspekte, në hotele, sitet kulturore, restorante etj. Por shohim që kthesa po konfirmohet me muajin mars. Të dhënat paraprake flasin se kemi një interes të lartë gjatë këtij muaji, që do të konfirmohen me mbylljen e tij. Një tjetër arsye ka qenë edhe bllokimi i rrugës drejt Juglindjes që ka ndikuar në anulimin e disa rezervimeve të bëra. Por ajo çfarë pamë në panairin e Berlinit ishte një interes i lartë të huajve që presim të vijnë në Shqipëri këtë vit”, tha Gonxhja.
Sipas ministrit, shifrat do të vijojnë të jenë në rritje, por sfida mbetet cilësia e shërbimit. Këtë vit risia e sezonit është që bashkitë do të ofrojnë shërbime publike me çmime ekonomike.
“Për herë të parë bashkitë dhe këshillat bashkiakë do të kenë mundësi që nëpërmjet një enti publik të kenë mundësi që të përcaktojnë çmime për shërbimet që ata ofrojnë. Do të përcaktohen tarifat për zonat e plazheve në varësi të vendndodhjes, por edhe çmimet minimale dhe maksimale të çadrës apo shezllonëve që do të ofrohen. Ky vit do të jetë më shumë edhe si një test për të ofruar më shumë shërbim cilësor për turistët, por edhe ekonomik gjatë muajve të pikut”, tha Gonxhja.
Por a kanë kapacitet bashkitë për të zbatuar një model të tillë menaxhimi?
“Zonat bregdetare ranore e kanë pak më të lehtë për tu menaxhuar për shkak edhe të hapësirës që ato ofrojnë. Sigurisht jo të gjitha bashkitë do të mund të kenë kapacitet për të qenë të suksesshme në këtë model, por unë mendoj se Lezha dhe Shkodra do të jenë dy bashkitë që do ta zbatojë këtë model më së miri që në vitin e parë”, tha ministri Gonxhja.
Çdo vit sfidat e sezonit turistik mbeten të njëjta. Pastërtia e plazheve dhe cilësia e shërbimit mbeten sfidat kryesore të sektorit./Vizion+