Platformat e mediave sociale si Instagram dhe TikTok duhet të ndërmarrin veprime për të ndaluar përdoruesit e rinj që humbasin orë të tëra duke parë pa menduar video pa fund, ka thënë të hënën kryeministri britanik Keir Starmer.
Britania, ashtu si vendet e tjera, po shqyrton kufizimin e qasjen në mediat sociale për fëmijët dhe po teston ndalimet, orët e ndalimit dhe kufizimet kohore të aplikacioneve për të parë se si ato ndikojnë në gjumë, jetën familjare dhe punën shkollore.
“Po konsultohemi nëse duhet të ketë një ndalim për fëmijët nën 16 vjeç”, citohet të ketë thënë Starmer për BBC Radio. “Por mendoj se po aq e rëndësishme është se mekanizmat e varësisë janë vërtet problematikë për mendimin tim. Ato duhet të zhduken”.
Kompanitë e mediave sociale kishin hartuar algoritme që kishin për qëllim të inkurajonin sjelljen varësisë dhe prindërit po i kërkonin qeverisë të ndërhynte, ka shtuar Starmer.
Kujtojmë se Australia në dhjetor u bë vendi i parë në botë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, me Greqinë dhe Indonezinë që gjithashtu miratuan ndalime të ngjashme.
Më shumë se 45,000 njerëz i ishin përgjigjur tashmë konsultimit të saj mbi sigurinë online të fëmijëve, tha qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se kishte ende kohë për të kontribuar para afatit të 26 majit.
“Ne duam të dëgjojmë nga nënat dhe baballarët që janë të shqetësuar për sasinë e kohës që fëmijët e tyre kalojnë online dhe atë që po shohin”, tha të hënën Sekretarja e Teknologjisë Liz Kendall.
“Ne duam të dëgjojmë nga adoleshentët që e dinë më mirë se kushdo se si është të rritesh në epokën e mediave sociale. Dhe duam të dëgjojmë nga familjet për pikëpamjet e tyre mbi orët e ndalimit, chatbot-et e inteligjencës artificiale dhe veçoritë që krijojnë varësi”. /Telegrafi/