Sot, më 17 shkurt, Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u mbush me mijëra qytetarë në marshin më të madh në historinë e Kosovës së lirë, organizuar nën moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.
“Prishtina sot ishte e bllokuar, e stërmbushur dhe e bashkuar. Qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga rajoni, diaspora dhe deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vërshuan sheshet e kryeqytetit për të dhënë një mesazh të qartë, dinjitoz dhe paqësor,” thuhet në njoftimin e platformës qytetare “Liria Ka Emër”.
Edhe përkundër kushteve të vështira atmosferike, qytetarët qëndruan me orë të tëra në shesh, duke dëshmuar se kjo kauzë është mbi çdo dallim dhe mbi çdo interes tjetër.
“Mesazhi ishte i qartë: populli foli. Dhe në emër të popullit, ata janë – ÇLIRIMTARË,” theksohet në njoftim.
Platforma qytetare shprehu falënderimet për pjesëmarrësit.
“Shprehim mirënjohjen më të thellë për çdo qytetar që ishte sot në shesh, për çdo familje, të ri e të re, për çdo organizatë, shoqatë, profesionist, artist, sportist e përfaqësues të komuniteteve fetare që iu bashkuan këtij marshimi historik”, thuhet në njoftim.
Në fund, theksohet se “Sot, Kosova foli me një zë. Dhe ai zë kërkon: Drejtësi, jo politikë.”
Ky marsh është pjesë e fazës finale të procesit në Hagë, ku qytetarët presin drejtësi të paanshme dhe lirimin e çlirimtarëve, duke theksuar se sakrifica për liri nuk mund të relativizohet dhe lufta e drejtë e UÇK-së nuk duhet të trajtohet si çështje politike. /Telegrafi/

