Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri të hënën mbrëma në Skenderaj, rreth orës 21:00.
I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë, ndërsa gjendja e tij nuk është bërë e ditur.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Sipas tij, policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “28 Nëntori” në Skenderaj.
“Rreth orës 21:04, Policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘28 Nëntori’, në Skenderaj. Sipas të dhënave fillestare, një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Zahiti.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja, ndërsa njësitet policore po zhvillojnë hetime për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar./Telegrafi/